Departamenti i Shtetit: “Ambasadori? Nuk dimë gjë, por do të hetojmë”
Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se do t’i shqyrtojë të gjitha akuzat e ngritura nga kreu i Komisionit hetimor të Kongresit Amerikan, Uaksman, për përfshirjen e mundshme të ambasadorit Xhon Uidhers në aferën e shitjes së armëve të vjetra kineze Pentagonit. “Nuk kemi asnjë informacion që mbështet idenë që zyrtarë të SHBA-ve në Tiranë janë përfshirë në një aktivitet të paligjshëm, por sigurisht do të hetojmë”. Ky është reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me skandalin e armëve, ku dyshohet të jetë përfshirë dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers. Reagimi erdhi menjëherë pasi kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Henri Uaksman, në një letër dërguar sekretares amerikane të Shtetit, Kondoleza Rajs, flet për një takim të zhvilluar më 19 nëntor 2007 mes ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë Uidhers dhe Fatmir Mediut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes në Shqipëri. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit, Tom Kasei, tha për gazetarët se Departamenti po shqyrton letrën e z. Uaksman. “Nuk kemi informacion që do të mbështeste idenë që zyrtarë të SHBA-ve janë përfshirë në një aktivitet të tillë të paligjshëm. Por sigurisht që do të shqyrtojmë çdo deklaratë dhe pikëpyetje të ngritura nga kreu i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeverisëse të Kongresit Amerikan, Uaksman”, - tha Kasei. Në letrën që Uaksman i dërgoi sekretares së Shtetit Rajs, përfshihet dhe deklarata e Leri Herrisonit, shef i zyrës së bashkëpunimit ushtarak në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Më 9 qershor 2008 personeli i Komisionit Hetimor të Kongresit Amerikan kreu një intervistë të transkriptuar me majorin Lari Herrison, zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes që punon në Shqipëri si shef i zyrës së bashkëpunimit për mbrojtjen. Në këtë intervistë ai shprehet se i kishte kërkuar zyrtarëve të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë të informojnë komitetin hetimor në lidhje me takimin e 19 nëntorit 2007 mes ambasadorit amerikan në Tiranë, Uidhers dhe Fatmir Mediut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes, por Ambasada nuk dha asnjë detaj në përgjigjen e saj zyrtare në lidhje me këtë çështje.
25 Qershor 2008