E Diel, 1 Nëntor 2026

“Freedom House”: “Qeveria shqiptare uzurpoi institucionet e pavarura”



Një tjetër organizatë ndërkombëtare kritikon qeverinë shqiptare. Dje është publikuar raporti i “Freedom House”, ku për qeverinë shqiptare ka patur sërish kritika. Më kryesorja, e cila theksohet në këtë raport është prirja e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura, midis të cilave Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe zyrën e Avokatit të Popullit, përmes emërimit të figurave të lidhura ngushtë me të”. Në raport analizohen ngjarjet e vitit 2007, ku megjithëse pranohet se Shqipëria ka bërë përmirësime, ka ende rrugë të gjatë për të bërë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Një nga problemet më të mprehta dhe serioze që përmendet në raport, është reforma në drejtësi. Megjithëse ekziston kuadri ligjor dhe kushtetues për një sistem të pavarur, në raport thuhet se organizimi dhe funksionimi i saj kanë probleme. “Ritmi i reformave ishte i ngadaltë në vitin 2007, në vend që të kishte një strategji të qartë për një drejtësi efikase, profesionale, të pavarur dhe të përgjegjshme, qeveria u përfshi në retorika të ashpra, duke fajësuar sistemin e drejtësisë si pengesën kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - thuhet në raport. Korrupsioni është pika tjetër kritike që përmendet në raport, ku thuhet, se me gjithë përmirësimin e legjislacionit, klima për biznesin nuk është shumë e favorshme dhe korrupsioni shihet si një nga faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet. Në përgjithësi, thuhet në raport, viti 2007 tregoi se megjithëse qeveria aktuale erdhi në pushtet me platformën e antikorrupsionit, ajo nuk është e paprekshme prej tij.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›