Ina Rama: “Nuk kemi të dhëna për implikimin e ambasadorit të SHBA-ve”
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u shpreh dje për gazetarët se institucioni që ajo drejton nuk ka ende informacion për implikimin e zyrtarëve të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë në ngjarjen e Gërdecit. E pyetur në lidhje me akuzat e bëra publike nga mediat ditët e fundit për dijeninë që ka pasur dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Uidhers, për trafikun e armëve kineze drejt Afganistanit, Rama u shpreh se ende nuk ka të dhëna për këtë çështje. “Nuk kemi asnjë të dhënë për zyrtarët e Ambasadës deri në këto momente”, - është shprehur Rama. Më tej ajo bëri të ditur se u ka drejtuar një kërkesë institucioneve të Drejtësisë amerikane për të marrë dëshminë e Diverolit për trafikun e armëve dhe kontratën që kishte me qeverinë shqiptare. Rama u shpreh se dëshmia e Diverolit është kyçe për hetimin e ngjarjes së Gërdecit. “I jemi drejtuar shtetit amerikan, organeve homologe të Drejtësisë amerikane për të marrë jo vetëm dëshminë e Diverolit, por për të marrë një sërë provash që ne i çmojmë të nevojshme për hetimin tonë, për çështjen e Gërdecit dhe që mendojmë se mund të na serviren nga Drejtësia amerikane dhe shoqëruar kjo kërkesë bashkë me pyetjet konkrete për të cilat ne mendojmë se duhet të japë shpjegime Diveroli. Sigurisht që dëshmia e Diverolit është në funksion të kësaj piste hetimi të trafikimit të armëve, pastaj do të shohim nga të dhënat që ai mund të na japë dhe që mund të na shërbejë për hetimin tonë”, - është shprehur Ina Rama.
25 Qershor 2008