Surpriza, Ylli Pinari, i skeduar në SHBA si trafikant armësh
Duket si çudi, por shqiptarët janë të “dënuar” që informacionet më të vyera për pushtetarët e tyre duhet t’i mësojnë nga hetimet që zhvillohen gjetkë. Madje kështu ndodh edhe kur këto informacione flasin për zyrtarë të dorës së parë si Ylli Pinari, që ndërsa ishte zyrtarisht drejtori i të gjitha shitblerjeve të armëve që bënte vendi ynë, njëkohësisht ishte skeduar edhe si një trafikant armësh në Departamentin Amerikan të Shtetit. Madje ka qenë i skeduar përkrah Henri Patrikut, pronarit të firmës seksere “Evdin ltd”. Aq i vërtetë është ky fakt sa kongresmenët amerikanë janë çuditur se si i shpëtoi Departamentit të Shtetit ortakëria e Diverolit me këta dy trafikantë, duke e titulluar këtë bashkëpunim si “treshja perfekte”. Ky konkluzion, i nxjerrë nga analiza e Komitetit të Kongresit, hedh fije të reja dyshimi lidhur me bashkëpunimet e tjera të MEICO-s në fushën e armëve. E në këto kushte lind pyetja se çfarë mund të bënte një “ujk” i skeduar si Pinari me ato mijëra predha dhe municione që shpërthyen dhe tronditën vendin më 15 mars? Ky informacion i lëshuar dje nga Komiteti i Kongresit duket se i shërben në mënyrën më të mirë dhe Prokurorisë shqiptare, e cila ka marrë një dimension tjetër të zyrtarit-trafikant që ka në qelitë e shtetit të saj.
25 Qershor 2008