Kongresmenët kërkojnë që ambasadori Uidhers të pyetet para 11 korrikut
Në seancën e djeshme të Kongresit Amerikan u vendos qe ambasadori amerikan në Shqipëri John Uidhers dhe 5 zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Tirane të paraqiten në Kongresin Amerikan për të dëshmuar para datës 11 korrik. Ndërkohë që dje katër zyrtarët e lartë të Pentagonit kanë treguar për rrethanat e dhënies së kontratës Diverolit dhe vëzhgimin e zbatimit të kësaj kontrate. Konkretisht, gjenerali amerikan Filips, ka deklaruar se janë zbatuar të gjitha kontratat e kompanisë “AEY” pas vitit 2006. Po kështu edhe zv/sekretari për politikat ushtarake, Myll, është shprehur se kompania “AEY” ndodhet në listën e kompanive të kontrolluara dhe se ajo nuk ka paraqitur asnjë problem gjatë kontrollit. Komiteti do të zbulojë se cilat janë gabimet brenda qeverisë amerikane në lidhje me aferat korruptive të “AEY”-së. Njëra nga anëtaret e komisionit aludoi hapur se zyrtarë të lartë e kanë favorizuar Diverolin për marrjen e kontratës 300 milionëshe. Kongresmenët ngritën pikëpyetje gjithashtu se pse nuk u investigua për kompaninë “AEY” para se t’i jepej kontrata për armët? “Na rezulton kompani e vogël, me shumë pak reputacion dhe që fitoi kontratën 300 milionë dollarëshe”, - tha njëri prej kongresmenëve.
25 Qershor 2008