Deportivo: Pandiani në shitje
07/04/2005 Deportivo është e gatshme të shesë Valter Pandianin, për rreth 4.5 milionë euro, vetëm një muaj pasi kanë deklaruar se një shifër e tillë ishte qesharake për një lojtar me karakteristikat e tij. Duket se klubi është i shokuar nga deklaratat e fundit të uruguajanit, sipas të cilave, lojtarët ktheheshin të dehur në stërvitje ose kishte raste, kur ata nuk paraqiteshin fare. Verën e kaluar, Deportivo kërkonte një shumë prej 12 milionë eurosh për të, por pas kritikave publike, presidenti Ausgusto Lendoiro dhe trajneri Havier Irureta, janë të mendimit që të “heqin qafe” sa më parë lojtarin. Skuadra më favorite për të marrë shërbimet e Pandianit, është Birmingem Siti, ku ai aktualisht gjendet në formë huaje. Por, blutë besojnë se shuma prej 500 mijë eurosh, që ata paguan gjatë verës së kaluar, duhet të merret parasysh për transferimin final të lojtarit. Shuma prej 4.5 milionë eurosh ka ngjallur interesin e shumë skuadrave, ku më favorite janë Njukasëlli dhe Fiorentina. Ndërkohë, sipas mediave spanjolle, Pandiani mund të bashkohet edhe me skuadrën e Barcelonës, por sulmuesi është shprehur se nuk preferon të qëndrojë si zëvendësues.