Navarro, apelim kundër dënimit
07/04/2005 Mbrojtësi i Seviljas, Havi Navarro, ka reaguar mjaft ashpër kundër dënimit të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF). Mbrojtësi u ndëshkua për ndërhyrjen e ashpër kundër Huan Arangos, pas së cilës, lojtari i Majorkës u shtrua në spital me dëmtime në shtyllën kurrizore. 31-vjeçari nuk u dënua menjëherë, por drejtuesit e RFEF-së, vendosën të reagonin, pas kritikave të vazhdueshme të lojtarit nga ana e medias. Navarro e ka cilësuar veten, si një “viktimë e medias” dhe ka theksuar se ai dhe Sevilja do të shkojnë edhe në apel për këtë vendim. “Nëse mendoj për të gjithë njerëzit që më kanë vrarë mua, atëherë do të jetë një listë shumë e gjatë”- deklaroi ai. “Ka shumë mënyra për të dhënë një shembull, por sigurisht kjo nuk është e duhura. Të gjithë kemi parë raste të tjera si ky, por askush nuk është ndëshkuar në këtë mënyrë. Ky do të jetë një preçedent dhe do të shohim se ku do të na çojë. Është e sigurt se nuk do të përfundojë këtu dhe njerëzit do të vazhdojnë të flasin edhe shumë kohë për këtë çështje”- theksoi më pas Navarro. Ndërkohë, duke iu referuar një vendimi gjygjsor, ai ka theksuar: “Unë do të mbështes gjithmonë klubin”. Nga ana tjetër, drejtuesit e Seviljas kanë deklaruar se vendimi është i padrejtë dhe se ata do të mundohen të ulin vendimin. “Ai nuk kishte për qëllim që të dëmtonte asnjeri dhe përplasja ishte thjesht një aksident”- deklarohej në adresën zyrtare të klubit në internet. “Do të paraqesim çështjen në apel duke përsëritur sërish se ishte thjesht një aksident. Komiteti nuk ka marrë parasysh versionin tonë. Ne provuam se ndërhyrja ishte thjesht një përplasje e ashpër dhe nuk mund të flasim për dhunë. Ata kanë hedhur poshtë të gjithë punën që ne kemi bërë për këtë çështje”.