Koncesioni i Ullirit, PS dhe PR abstenojnë
Dhënia me koncesion për 99 vjet të 1 mijë hektarë tokë për mbledhjen e ullinjve ka shkaktuar debate në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Toka që jepet në zonën e Kavajës ka vënë përballë socialistët dhe demokratët, duke u ndaluar te çështja se kjo tokë pse nuk i jepet ish-pronarëve për kompensimin fizik. Ministri i Bujqësisë, Gjana u shpreh se, “toka është në pronësi të shtetit dhe se është refuzuar nga ish-pronarët për të marrë si formë kompensimi”. Edhe deputeti i PR-së, Arjan Madhi deklaroi se, “unë nuk do të votoj këtë ligj, abstenoj, pasi dua të marr një informacion zyrtar nga Ministria e Bujqësisë mbi tokat e dhëna në koncesion”. Ndërsa deputeti i PS-së, Fino deklaroi se, “nëse socialistët vijnë në pushtet do të rishikojmë koncesionet”. Edhe pse kishte mjaft debate, PS-ja abstenoi në këtë votim.