E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, Qeveria nuk tërhiqet para KE

 

BLEDAR HOTI

Maxhoranca nuk heq dorë nga ligji i “Verifikimit të zyrtarëve dhe të zgjedhurve në administratën e lartë”. Qëndrimi i njohur u bë prezent nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe zv.kryeministri Genc Pollo gjatë takimit me dy raporterët e Këshillit të Evropës. Maxhoranca në këto takime i ka dhënë KE-së  garanci se ligji i Lustracionit do të zbatohet me paanësi, duke mos u tërhequr nga kërkesa për rishikimin e tij. Qëndrimin zyrtar për ligjin e Lustracionit, të cilësuar ndryshe dhe si i “Dosjeve”, e ka mbajtur zv.kryeministri Genc Pollo. Numri dy i qeverisë, Pollo u ka deklaruar dy raporterëve të Monitorimit të Këshillit të Evropës, Jaakko Laakso dhe David Ëilshire se, “ligji që bazohet në dokumentet e Këshillit të Evropës dhe vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me seli në Strasburg, i shërben synimit ndërkombëtarisht të mirëpranuar të shkëputjes nga e kaluara totalitare”. Sipas njoftimit për median mësohet se, “zv.kryeministri siguroi bashkëbiseduesit se Qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji”.
Ftesa e Topallit
Raporterët kanë zhvilluar dje takimin e parë me kryeparlamentaren Topalli në orën 09:00. Kryeparlamentarja i është përgjigjur interesimit të dy raporterëve të KE-së, ku kryesoret kanë qenë ligji i Dosjeve dhe përgatitja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kryetarja e Kuvendit bëri një paraqitje të të gjithë procesit parlamentar, të diskutimit dhe miratimit, të ligjit të Lustracionit. “Ky ligj, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së. Ky është një ligj i domosdoshëm për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja”, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit garantoi se “zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve”. Ajo ftoi, përmes raporterëve, Këshillin e Evropës të monitorojë zbatimin e këtij ligji. Për sa i përket çështjes së zgjedhjeve parlamentare, Topalli ka bërë ekspoze në lidhje me punën e kryer me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe të ngritjes në mënyrë konsensuale të KQZ-së. Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe shprehu vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Topi dhe Berisha
Raporterët pritet të takohen sot pasdite me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha. Me këto takime mbyllin punën e tyre për mbledhjen e të dhënave dhe të fakteve. Takimet me dy krerët e lartë të shteteve shihen si mjaft të rëndësishme. Presidenti Topi nuk e dekretoi një ligj të tillë, duke bërë që ai të hyjë në fuqi vetvetiu me kalimin e afatit kushtetues. Dje në mbrëmje dy raporterët kanë pasur një takim informal me deputetët shqiptarë të delegacionit të KE-së në një nga restorantet te dy kullat e Tiranës. Në të është diskutuar mbi takimet e realizuara me përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Pas disa javësh dy raporterët priten të mbajnë një raport në Strasburg. Ndërsa pas takimeve përfundimtare me kreun e shtetit dhe presidentin, dy raporterët pritet të japin edhe një deklaratë për situatën e konstatuar.

Biberaj takon raporterët

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj zhvilloi një takim me raporterët e Këshillit të Europës, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KE-së, Jaakko Laakso nga Finlanda dhe David Ëilshire nga Britania e Madhe. Takimi ka pasur një frymë shumë konstruktive. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, “në këtë takim është diskutuar për ligjin e Lustracionit, përgatitjen e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, si dhe për shkarkimin joetik, jo transparent dhe joligjor të Biberajt nga detyra e zv.presidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së dhe nga funksionet e tjera në KE”. Në përfundim të takimit, Biberaj ka shprehur besimin dhe bindjen e tij të plotë se raporti i KE-së për Shqipërinë do të jetë realist dhe konstruktiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›