E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli akuzon Ramën, reagon Shalsi: “Ajo vetëm shpif”



Gjatë turit të takimeve në komuna e qytete të ndryshme të vendit, kryetarja e Kuvendit është ndalur dje në komunën e Bushatit. Gjatë takimit me banorët e kësaj komune Topalli ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili, sipas saj, mban peng planin urbanistik të Tiranës. “Në 4 vjet ne kemi rritur rrogat dhe pensionet, kurse në 9 vjet, kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat. PD-ja ka ndërtuar dhe po vazhdon të ndërtojë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama në fakt u mor vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë”, - tha Topalli.
Pas kësaj deklarate ka reaguar nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i cili e akuzoi Topallin për shpifje. “Znj. Topalli nuk po lë ditë pa treguar se është e paaftë të bëjë tjetër gjë veçse të shpifë e të akuzojë, duke fyer kësisoj logjikën e shqiptarëve, të cilët sot kërkojnë punën dhe shpresën që ofron modeli i Edi Ramës, dhe jo varfërinë dhe papunësinë që riprodhon modeli i Sali Berishës. Zonjës Topalli i them se shqiptarët sot duan ndryshim dhe një nga arsyet është se nuk duan të qeverisen me llafe dhe urrejtje, por me vepra dhe dashuri”, - është shprehur Shalsi.

Patozi në komunat e Sarandës akuzon Ramën për abuzime me lejet e ndërtimit

Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, në kuadër të turit parazgjedhor, është ndalur dje në komunat e Sarandës, ku ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, për abuzime me lejet e ndërtimit. Gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të komunës Market të Sarandës, Patozi tha se qeverisja e Partisë Demokratike, vetëm në katër vjet ka sjellë ndryshimin në çdo qytet e komunë, sado larg që ato janë gjeografikisht. “Përballë kemi një opozitë të përfaqësuar vetëm nga një zë e një figurë, Edi Rama, personi që flet sikur nuk ka qenë në Shqipëri përgjatë 18 viteve të fundit, sikur nuk ka qenë ai, që siç e nisi karrierën politike me skandale gjatë kohës kur ishte ministër Kulture, e vazhdon sërish me skandale me lejet e ndërtimit dhe lidhje të ngushta me elementë të krimit të organizuar, të cilët kërkon t’i përdorë gjatë fushatës”, - është shprehur Patozi, ndërsa bëri publike investimet e PD-së gjatë katër viteve në pushtet.
“Brenda një kohe të shkurtër kemi realizuar të gjitha premtimet tona, madje në disa raste i kemi tejkaluar ato”, - tha Patozi.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›