E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat për pensionistët, ISSH-ja zbardh skemën e kompensimit

Përcaktohet procedura dhe shuma e lekëve që do të përfitojnë pensionistët. Përjashtohen nga rimbursimi pensionistët që nuk aplikojnë brenda datës 20 qershor

Jonida Tashi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh skemën e kompensimit të pensionistëve për kartat e identitetit. Nga 350 mijë pensionistë pa pasaportë, vetëm 50 mijë kanë aplikuar për karta identiteti. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, ka bërë publike ditën e djeshme skemën e kompensimit të pensionistëve që kanë aplikuar apo do të aplikojnë për kartat e identitetit.
Kompensimi
Pensionistët që janë pa pasaportë dhe pensionistët e fshatit do të rimbursohen me 1000 lekë, ndërsa ata që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal do të rimbursohen me 400 lekë. Shuma prej 200 lekësh do t’u mbahet pensionistëve në momentin e tërheqjes së pensionit. Pagesa e kompensimit do të jetë e vlefshme për aplikimet e kryera deri në datën 20 qershor 2009, apo për letërnjoftimet deri në 28 qershor 2009. Për aplikimet e bëra pas datës 20 qershor 2009 kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për këtë qëllim është e paligjshme. Për të bërë të mundur pajisjen e të gjithë pensionistëve pa pasaportë me kuponin e pajisjes me kartë identiteti që nga 1 maji 2009, si dhe rimbursimin e të gjithë atyre që kanë aplikuar përpara kësaj date për letërnjoftimin, ISSH-ja dhe Posta Shqiptare, bazuar në Vendimin 336 të Këshillit të Ministrave, datë 15.04.2009, kanë nënshkruar dje një marrëveshje të përbashkët.
Përjashtimet
Sipas marrëveshjes së fundit, pensionistët që nuk kanë aplikuar ende do të pajisen me kuponin e kartës së identitetit ditën e marrjes së pensionit. Ndërkohë, personat që e kanë kryer aplikimin apo e kanë marrë letërnjoftimin, do të marrin kompensim në masën e njohur në muajin pasardhës, pasi të kenë dorëzuar në zyrat e tërheqjes së pagesës mujore të pensionit kopjen e formularit të aplikimit ose kopjen e letërnjoftimit të marrë. Aplikimi në afatet e vendosura nga vendimi i qeverisë do të verifikohet nga punonjësit e Postës Shqiptare me datën që mban letërnjoftimi i marrë ose fatura e aplikimit për pajisjen me këtë dokument.

Skema e kompensimit
1000 lekë do të rimbursohen pensionistët që janë pa pasaportë dhe pensionistët e fshatit që përfitojnë pension minimal
400 lekë do të rimbursohen pensionistët që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal
200-lekëshi do t’u mbahet pensionistëve në momentin e tërheqjes së pensionit
20 qershor është afati i fundit për të përfituar nga pagesa e kompensimit
50 mijë pensionistë kanë aplikuar për karta identiteti nga 350 mijë pensionistë pa pasaportë

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›