E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Partitë politike të mblidhen në tryezë për të zgjidhur çështjen e kartave”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, propozon organizimin e një tryeze të përbashkët të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e kartave të identitetit. Meta tha se partitë duhet t’u japin fund replikave në distancë dhe të mblidhen brenda javës për të ofruar një zgjidhje konkrete për çështjen e kartave, pasi një situatë e tillë po rrezikon të dëmtojë rëndë zgjedhjet e 28 qershorit. “Në këto kushte, ku duket qartë se çështja e kartave të identitetit po shndërrohet në një rrezik tepër serioz dhe madhor për standardet e zgjedhjeve të ardhshme dhe për stabilitetin politik në vend, unë do të kërkoja që brenda kësaj jave, të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të plotë për zgjedhjet, që u takojnë të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht partive politike, të arrijnë me konsensus që të bien dakord për disa standarde duke zgjedhur në radhë të parë edhe çështjen e kartave të identitetit. Besoj se çdo vonesë përtej kësaj jave vetëm do të vështirësojë mundësitë për të shmangur një krizë të pritshme zgjedhore, që jo vetëm do të dëmtojë imazhin e vendit tonë, do të dëmtojë imazhin e partnerëve tanë dhe në radhë të parë të NATO-s, por do të kishte pasoja tepër serioze edhe për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë përsa i takon anëtarësimit në BE. Ndaj do t’i ftoja të gjitha forcat politike parlamentare që të evitojnë takimet dhe komunikimet në distancë, të evitojnë replikat e panevojshme që nuk ofrojnë zgjidhje dhe urgjentisht, brenda kësaj jave, t’i japim një zgjidhje në mënyrë që qytetarët jo vetëm të shkojnë dhe të realizojnë kartat e identitetit në kohë, por njëkohësisht të krijojnë një klimë pozitive të një gare demokratike në një vend demokratik vërtet anëtar i NATO-s. Përndryshe, ne do të bëhemi gazi i botës dhe kjo do të ishte një turp jo vetëm për politikën shqiptare, sepse është mësuar me turpe të tilla, por do të ishte një turp për të gjithë vendin tonë dhe kombin tonë”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›