E Diel, 1 Nëntor 2026

Depozitat në Shqipëri, garantohen 300.000 lekë

Nga Genc Kondi
Vetëm 300 mijë lekë të reja është fondi për të cilat përgjigjet shteti shqiptar, në rast të falimentimit të ndonjë institucioni bankar. Guvernatori Ardian Fullani, megjithatë, theksoi dje se shqiptarëve nuk u kërcënohen rreziqet. 

TIRANE- Qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë depozituar në bankat e nivelit të dytë kursimet e tyre apo të të afërmve emigrantë, u garantohet zyrtarisht në masën 100% një sasi e vogël prej parave të vendosura me afat. Janë vetëm 3 milionë lekë të vjetra (300 mijë lekë të reja) fondet për të cilat përgjigjet shteti shqiptar, në rast të falimentimit të ndonjë institucioni bankar. Kjo është shifra e parave për të cilët shqiptarët duhet të jenë të sigurt se nuk u kërcënohet asnjë rrezik, pra në çdo rast do t'i marrin përsëri. Garanci ofrohet edhe deri në nivelin e 7 milionë lekëve të vjetra. Në këtë rast, ato nuk mbulohen 100%, por në një nivel më të ulët, 60-70%. Nga gjithë vendet e Evropës, vetëm në Irlandë garantohet nga shteti 100% e depozitave. Megjithatë, në një konferencë për shtyp, dukshëm të nxitur nga situata e paqartë në tregjet financiare ndërkombëtare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka theksuar se qytetarëve shqiptarë nuk u kërcënohen rreziqet me të cilat po përballen amerikanët apo disa evropianë. Sistemi ynë bankar, tha ai, nuk rezulton të jetë "i intoksikuar", pra është i sigurt. Në këto kushte, banka qendrore parashikon të rritë kontrollin e saj ndaj bankave të nivelit të dytë, duke filluar nga kreditimi, që kohët e fundit ka njohur rritje shumë të shpejtë. Por, i shoqëruar edhe nga një ritëm i padëshirueshëm i shtimit të raportit të kredive të këqija në raport me totalin e parave të dhëna hua nga sistemi ynë bankar. Asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme në aktivet e intoksikuara, të cilat kanë qenë faktori kryesor që ka rënduar situatën financiare globale, sipas tij. Por ekziston rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet në vendin tonë nëpërmjet uljes së fluksit të hyrjeve nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta, tha Fullani.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›