E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët kërcënojnë me protestë për masterat

Studentët e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Vlorës kërcënojnë se do të nisin protestat nëse nuk u krijohet mundësia që të vazhdojnë më tej studimet për t'u pajisur me diplomë të rregullt. 

VLORË - Studentët e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Vlorës që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve sipas Kartës së Bolonjës, kanë njoftuar dje nisjen e protestave nëse nuk u krijohet mundësia që të vazhdojnë më tej studimet për t'u pajisur me diplomë të rregullt. Ata kërkojnë që për vitin në vazhdim, edhe në Universitetin e Vlorës, ashtu si për degë të tjera (mësuesi, matematikë, fizikë) të ketë studime për mastera edhe për degën e tyre, gjë e cila do të mundësonte përfundimin e studimeve të plota dhe në vend të certifikatave që kanë sot, të pajisen me diploma të rregullta si kolegët e tjerë. "Duhet të na kishin informuar që kur nisëm studimet apo edhe në vijim se si do të vijonte diplomimi, për të bërë edhe ne zgjedhjet tona. Nëse nuk kishin mundësi të na krijonin kushte për përfundim të plotë shkollimi, të mos e aplikonin sistemin e Bolonjës", - pohuan dje studentët e mbledhur në hyrje të Universitetit "I.Qemali". Protesta e djeshme si dhe konfirmimi për përshkallëzimin e saj nëse nuk ka zgjidhje, erdhi pas disa takimeve të tyre me rektorin Tanush Shaskaj. "Zgjidhja nuk varet nga ne, por nga Ministria e Arsimit. Ne u kemi thënë që të drejtohen atje", - është përgjigja e dhënë nga drejtuesit e universitetit. Studentët pohojnë se viti akademik është në prag e se nga Tirana nuk ka shpresë. Në këto kushte, ata konfirmojnë vazhdimin e protestave.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›