E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët kanë frikë të marrin kredi

Qytetarët shqiptarë kanë frikë të marrin kredi për blerjen e shtëpive. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë për politikën monetare të pjesës së parë të vitit 2010 tregon qartë se individët janë të pasigurt të kryejnë investime afatgjata.

Kjo mund të jetë efekti i parë i krizës ekonomike. Trembja e qytetarëve dhe ulja e shpenzimeve është simptoma e parë e një krize. Sidoqoftë, statistikat për 6-mujorin e parë tregojnë qartë se kredia për individët vazhdon të tkurret nga muaji në muaj.
Kredia
"Kredia për individë vijon të jetë e kontraktuar në terma vjetorë, duke u tkurrur me rreth 2.0 për qind. Kjo ecuri është diktuar në një masë të madhe nga kredia për konsum, e cila ka kontribuar rreth 65% në këtë normë. Ritmet e tkurrjes vjetore të kredisë për konsum, pasi arritën nivelin maksimal prej 11.7% në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kanë ardhur në rënie, duke shënuar 5.9% në muajin maj. Ndërkohë, kredia për financim të blerjeve të pasurive të patundshme ka vijuar të kontraktohet në terma mesatarë vjetorë me ritme të moderuara prej rreth 1.1%." Duke u përpjekur të japë arsyet e këtij kontraktimi, Banka e Shqipërisë thekson se ka një lloj përmirësimi për kredinë për konsum që marrin individët, por kërkesa për kredi për shtëpi vijon të jetë e ulët. "Pjesa më e madhe e zgjerimit të portofolit të kredisë për këtë periudhë ka qenë për qëllime konsumi. Sikurse raportohet nga bankat, vërehet një rritje e kërkesës së individëve për kredi për konsum gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të këtij viti. Nga ana tjetër, kërkesa e individëve për kredi për blerje pasurish të patundshme, e cila përbën rreth 77% të portofolit të kredisë për individë, është në rënie. Kjo sjellje reflekton një përqasje më konservatore të individëve në realizimin e shpenzimeve të mëdha, përballë pasigurive që rrethojnë ndërmarrjen e investimeve në pasuri të paluajtshme dhe në kushtet e standardeve të shtrënguara për financimin e tyre."
Qytetet
Përjashto Tiranën dhe Korçën, bankat e nivelit të dytë i kanë ulur kreditë për të gjitha qytetet e tjera të vendit. Duke krahasuar të dhënat e Bankës së Shqipërisë, shikohet qartë se sasia e kredisë së dhënë deri në fund të 6-mujorit të parë të vitit është vetëm 20 milionë lekë më e madhe. Pra, gjatë këtij viti bankat kanë mbledhur më shumë kredi të vjetra se sa kanë dhënë të reja. Dhe rritjen prej 20 milionë lekësh e ka shpëtuar vetëm Tirana. Të gjithë individët që jetojnë në qytetet e tjera të vendit kanë marrë më pak kredi se sa një vit më parë. Lezha dhe Shkodra kanë "humbjet" më të mëdha. Ndërsa kredia e re për qytetarët në Tiranë është rreth 1 miliard lekë më e madhe se sa në vitin 2009. Bashkë me Tiranën qytetarët më të besuar për bankat janë ata të Korçës, ku diferenca e stokut të kredisë për individët në 6-mujorin e parë të vitit 2010 është pozitive me 97 milionë lekë. Të gjithë qytetarët e tjerë të vendit janë më pak të kredituar nga bankat. çuditërisht, Korça, edhe pse ka marrë më shumë kredi për individët, ka marrë më pak kredi për bizneset, duke qenë i vetmi rreth me ulje të stokut të kredisë gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Interesat
Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa e parë e këtij viti është karakterizuar nga ndryshim kahesh i lartë i normave mesatare të interesit për kreditë në lekë. "Në muajt prill-maj, normat e interesit për kreditë në lekë kanë ndryshuar dy herë kah. Në muajin prill ato u ulën me 0.81 pikë përqindjeje (krahasuar me muajin paraardhës), duke shënuar 13.32%. Më pas, në muajin maj interesi mesatar u rrit sërish, duke regjistruar 13.81%. Mesatarisht, interesi i ponderuar për kreditë e reja në lekë ka shënuar vlerë 0.08 pikë përqindjeje më lart se tremujori i parë i vitit 2010. Bankat kanë vazhduar të jenë në favor të kreditimit në monedhën vendëse për pasurinë e paluajtshme për individët. " Sipas raportit, normat e interesit për kreditë në euro kanë ndjekur prirje rënëse, duke filluar që nga muaji shkurt. "Muajt prill-maj kanë vijuar me lehtësim të interesave për kreditë në euro, duke regjistruar vlerën mesatare 7.52%, e njëjtë kjo me mesataren e tremujorit të parë. Interesat kanë pasur ecuri të njëjtë edhe sipas afateve, ndonëse ndikimin më të lartë e kanë përcjellë ato afatshkurtra (për kapital qarkullues për biznese). Ndërkohë, në afatin e gjatë mbi 5-vjet (për pasuri të paluajtshme dhe investime) bankat vazhdojnë të hezitojnë të akordojnë kredi të re. Norma e interesit për këto kredi u rrit mesatarisht 1.00 pikë përqindjeje në dy muajt e fundit krahasuar me tremujorin e parë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›