Depresioni pas vdekjes së vajzës, vret veten 45-vjeçarja
Një grua 45-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, i ka dhënë fund jetës, duke pirë lëndë helmuese, në Shkodër. Viktima është Pashka Vila, e cila la jetimë tre fëmijë. Sipas burimeve nga policia, 45-vjeçarja kishte lënë një letër para aktit vetëvrasës, ku tregonte dhe arsyet se pse ajo kishte vendosur të ndërmerrte këtë veprim. “Jam e mërzitur nga jeta”, - shkruante ajo në letrën drejtuar familjarëve të saj, duke u lënë edhe një amanet: “Më varrosni pranë sime bije”. Kohët e fundit, sipas familjarëve, 45-vjeçarja vuante nga një sëmundje nervore. Ajo kishte humbur kohë më parë vajzën e saj dhe kjo fatkeqësi kishte ndikuar në gjendjen e nënës së tre fëmijëve. Me gjithë ndihmën e dhënë nga familjarët, të cilët e dërguan 45-vjeçaren në spital, ajo nuk arriti të mbijetonte si pasojë e sasisë së madhe të helmit që kishte pirë.
Ngjarja
Sipas burimeve nga policia, rreth mëngjesit të ditës së djeshme, familjarët kanë gjetur të shtrirë në dhomë të afërmen e tyre, Pashka Vila (Deda). 45-vjeçarja kishte tre fëmijë dhe jetonte në fshatin Rranza të komunës Bushat, në Shkodër. Viktima ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Të afërmit e kanë dërguar atë menjëherë në spitalin e qytetit të Shkodrës për të marrë ndihmën e parë, por ajo nuk ia ka dalë të mbijetojë. Kjo, pasi helmi që viktima kishte pirë, kishte depërtuar në organet vitale të saj. Sipas mjekëve, nëna e tre fëmijëve kishte gëlltitur një sasi të madhe lënde fosfororganike, lëndë helmuese pesticide bujqësore. Sipas burimeve të policisë, veprimi i 45-vjeçares kishte ardhur si pasojë e gjendjes së rënduar mendore. Në banesën e të ndjerës, mbi një komodinë, është gjetur një letër, ku 45-vjeçarja ua kishte lënë familjarëve dhe shpjegonte dhe arsyet pse kreu aktin vetëflijues. Nëna e tre fëmijëve shkruante: “Po iki, më është mërzitur jeta”. Gjithashtu ajo u kërkon familjarëve që “ta varrosin atë pranë vajzës së saj”. Sipas policisë, kohët e fundit 45-vjeçarja ishte në një gjendje të vështirë nervore. Ndikim për këtë kishte pasur humbja e vajzës së saj. Nisur nga kjo, ajo kreu veprimin, duke pirë lëndën helmuese dhe për pasojë gjeti vdekjen.
Precedenti i një jave më parë
Një nënë 35-vjeçare është vetëvrarë, pasi ka gjetur fëmijën e saj pa jetë pesë ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare, Xhevahire Hoxha ka varur veten në shtëpinë e saj. Ngjarja ndodhi në Kamëz, në banesën e viktimës. Fëmija nëntëvjeçar është gjetur pa ndjenja nga nëna 35-vjeçare, e cila nga dhimbja e madhe ka vendosur të ndahet nga kjo jetë. Arsyeja e vdekjes së fëmijës ka qenë temperatura e lartë. Familjarët kanë gjetur të varur viktimën dhe janë përpjekur t’i japin asaj ndihmën e parë. Megjithatë, çdo gjë ka qenë e kotë, pasi 35-vjeçarja nuk kishte shenja jete. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila nisi hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Edhe në këtë rast, gruaja e re kishte lënë një letër, në të cilën shpjegonte arsyet e ndërmarrjes së një akti të tillë.