Strasburgu, 450 mijë euro gjobë Shqipërisë për Vrionët
Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, i ka dhënë të drejtë familjes së njohur për një pronë pranë ish- stacionit të Trenit
Në vitin '45, prona ishte sekuestruar ndërsa në vitin 1992, ajo i ishte shitur nga qeveria familjes Gliozheni
Më pak se dy javë përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e penalizoi vendin tonë me 450 mijë euro për shkak të problemit të pronave.
"Vrioni dhe të tjerët" fituan të drejtën e tyre për të marrë kompensim për një pronë në qytetin e Tiranës, ndërsa shteti shqiptar u penalizua për shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe për shkelje të së drejtës së pronës.
Konflikti mes familjeve të njohura Çështja lidhet me respektimin e së drejtës së pronës për gjysmën e një godine në qytetin e Tiranës, konflikt i cili lindi midis pronarëve të para vitit 1944 dhe pronarëve të rinj, të cilët e patën këtë gjysmë godine blerë nga shteti komunist.
Të dy palët janë familje të njohura në periudhat respektive. Ish-pronari është juristi i njohur Baldazar Benusi, kurse pronari i ri është doktori i njohur Koço Gliozheni, emrin e të cilit e mban një prej materniteteve të Tiranës në ditët e sotme, ndërsa i biri i tij, doktori po aq i njohur Orion Gliozheni, është pronari i sotëm.
Konflikti, i cili ka ecur nëpër një rrugë të gjatë procesesh gjyqësore, lindi për faktin se trashëgimtarët e pronarit të vjetër Benusi kanë konsideruar të padrejtë konfiskimin që i kishte bërë shteti komunist gjysmës së tyre të godinës pranë stacionit të trenit në kryeqytet dhe në bazë të akteve ligjore të dala për rehabilitimin e ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë pas viteve 1990 dhe për kthimin dhe kompensimin e pronave atyre iu njoh e drejta e pronësisë për këtë gjysmë godine.
Duke qenë se kjo gjysmë e pronës ishte në pronësi të familjes Gliozheni, kjo është edhe zanafilla e konfliktit midis të dy familjeve të njohura. Që atëherë u zhvilluan shumë procese gjyqësore dhe përfundimisht në gjykatat e brendshme, sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, prona mbeti në emër të familjes Gliozheni.
Duke mos qenë dakord me vendimin e gjykatave shqiptare, trashëgimtarët Benusi e dërguan çështjen e tyre në Strasburg. Kjo gjykatë, në përfundim të gjykimit, konkludoi se gjykatat e brendshme të Shqipërisë kishin shkelur të drejtën e ankuesve për një proces të rregullt ligjor, si edhe të drejtën e tyre të pronësisë të garantuara këto nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke marrë në konsideratë faktin që kjo pronë sot zotërohet nga një pronar, i cili e ka blerë me një kontratë të rregullt sipas ligjeve në fuqi, Gjykata e Strasburgut nuk e ka konsideruar si të rastit që shkelja e konstatuar të riparohet duke i kthyer pronën pronarëve të vjetër (familja Benusi), por ka gjykuar që prona t'i mbetet pronarit aktual kurse pronari i vjetër të dëmshpërblehet me një shumë financiare, e cila është vlerësuar në 450 mijë euro. Me këtë zgjidhje, doktori i njohur Gliozheni "shpëtoi" pronën e blerë nga babai i tij dhe pronarët e vjetër Benusi përfitojnë një kompensim të përshtatshëm.
Kjo zgjidhje e Strasburgut, që i lë shtëpinë pronarit të ri dhe kompenson pronarin e vjetër, është krejt e ndryshme nga praktika e ndjekur në Shqipëri, e konfirmuar kjo edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2000, sipas të cilit prona i është kthyer pronarit të vjetër dhe pronarit të ri i lind e drejta e kompensimit.
"Vrioni", një ndër tri penalizimet më të mëdha
Sipas këtij vendimit të dhënë në favor të familjes Vrioni, Gjykata Europiane penalizon shtetin shqiptar me një shumë prej 450 mijë eurosh, gjë që përbën një ndër tre penalizimet më të mëdha që ka dhënë kjo gjykatë kundër vendit tonë.
Dy të tjerat i përkasin çështjeve Qufaj (570 mijë euro) dhe Driza (mbi 500 mijë euro). Kësisoj Gjykata e Strasburgut vazhdon të penalizojë me shuma gjithmonë e më të mëdha shtetin shqiptar, por nga ana tjetër megjithëse i pëson këto penalizime, shteti shqiptar vazhdon të mos tregojë ndonjë angazhim konkret dhe të dukshëm lidhur me eliminimin e këtyre shkeljeve, veçanërisht në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimin e pronave, proces i cili vazhdon të mbetet në një situatë tepër të vështirë për t'u zgjidhur.
Ky vendim është dhënë më pak se dy javë përpara ceremonisë së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.