Dëshmia: Kasemi ishte në makinën e Altin Dardhës
I pandehuri Gëzim Kasemi, i njohur si një nga ushtarët e Altin Dardhës, ky i fundit i njohur si kapobandë në Berat, është përballur dje me një dëshmitar që e ka fiksuar fytyrën e tij në një nga vrasjet e bujshme në Berat. Dëshmitari i thirrur dje nga gjykata, Rifat Torraj, ka dëshmuar se të pandehurin Kasemi e ka parë në një automjet tip “Ford Fiorano” me ish-të rrezikshmin e Beratit. Sipas tij, i pandehuri ka qenë i gjakosur kur e ka parë në automjetin që lëvizte ish-i forti i Beratit, Altin Dardha. Ndërkohë që gjatë seancës së djeshme, në fund të dëshmisë së Rifat Torrajt, i pandehuri Kasemi kërkoi nga gjykata që të shikoheshin ditët e tij të paraburgimit, duke parashtruar kërkesën për pushim të masës së sigurisë.
Dëshmia
“Kam qenë duke udhëtuar me automjetin tim nga Berati për në Uznovë. Para meje ishte djali im, Eriku, i cili ishte me automjetin e tij. Gjatë rrugës na ka kaluar një mjet, i cili njihej si automjeti i Altin Dardhës. Kam parë një person gjysmë të përkulur, i cili mbante një kallashnikov në dorë që ma drejtoi në fytyrë. Ky person ishte Altin Dardha. Nuk i kam folur, por më ka drejtuar armën për 10 sekonda. Më pas është hapur dera e mjetit dhe prej andej kam parë dy persona. Njëri prej tyre kishte mitraloz në dorë dhe një djalosh të gjakosur”, - rrëfeu para togave të zeza dëshmitari Rifat Torraj. I pyetur nga mbrojtja nëse e njihte personin që ishte i gjakosur, dëshmitari ka shpjeguar se ai ngjasonte me të pandehurin Gëzim Kasemi. “Mbaj mend që personi që ka qenë i gjakosur, nuk ka pasur syze, por nga sytë e vegjël dhe fytyra e imët, kam bindjen se ka qenë ky”, - ka treguar me tej Torraj. Gjithashtu, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari ka theksuar se nuk i ka dalluar personat e tjerë që kanë qenë në automjet, të cilët pas kësaj ngjarjeje janë larguar.
Kërkesa
Pas dëgjimit të dëshmitarit, i pandehuri Gëzim Kasemi i ka bërë të ditur gjykatës se i kishin kaluar afatet e paraburgimit. Ndaj dhe, përmes avokatëve të tij, i pandehuri i bëri kërkesë dje gjykatës që të ndryshonte masën e sigurisë të caktuar nga gjykata në ngarkim të tij, nga ajo e “arrestit me burg” në masën më të butë sigurie, konkretisht “arrest shtëpie”. I pandehuri ka shpjeguar se në qeli ka plot 15 muaj dhe 11 ditë. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha i ka shpjeguar të pandehurit se pas disa pezullimesh të afateve të paraburgimit, gjykata do të bënte një rikontroll, për të parë nëse kanë kaluar apo jo afatet siç pretendoi vetë i pandehuri. I pandehuri akuzohet nga prokuroria e Beratit për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha këto në bashkëpunim. I pandehuri akuzohet për vrasjen e shtetasit Burhan Tomori, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, si dhe plagosjen e Ramadan Eskiut dhe Vlash Shkurtit.
Somario
“Kam parë një person gjysmë të përkulur, i cili mbante një kallashnikov në dorë që ma drejtoi në fytyrë. Ky person ishte Altin Dardha. Nuk i kam folur, por më ka drejtuar armën për 10 sekonda”, - deklaroi dëshmitari Torraj