Depresioni, vetëmbytet në lumë gruaja e divorcuar
Depresioni dhe abuzimi me alkoolin kanë çuar dy persona drejt vetëvrasjes në Durrës dhe Gjirokastër. Kështu, një 46-vjeçare është vetëmbytur në liqenin e fshatit të saj, mëngjesin e së hënës, rreth orës 07:30. A.Driza është gjetur e mbytur në liqenin e fshatit Shtrazë të Komunës Gjepalaj të Shijakut. Viktima ishte e divorcuar dhe dyshohet se jeta e vështirë dhe pamundësia ekonomike për të përballuar detyrimet e kishin çuar edhe më parë drejt vetëvrasjes. Qenë hetimet e bëra që zbardhën shkakun e mbytjes së saj dhe policia deklaroi se në bazë të tyre rezulton që ngjarja klasifikohet një vetëvrasje, pasi kjo shtetase vuante nga depresioni nervor dhe kishte tentuar edhe më parë të vetëvritej. Por bëhet e ditur se po vazhdon puna për saktësimin e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë në Gjirokastër, një 64-vjeçar, banor i lagjes “Manalat”, ka tentuar të vetëvritet me armë zjarri në oborrin e shtëpisë, në rrethana të konsumit të tepërt të alkoolit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme dhe kanë qenë fqinjët e Besim Mamos ata që kanë lajmëruar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për ngjarjen. Uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se 64-vjeçari Mamo ishte vetëqëlluar me një armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij, në qendër të lagjes periferike të “Manalatit”. Pas hetimeve dhe deklarimeve të para, policia ka deklaruar se Mamo, në gjendje të dehur, ka marrë një kallashnikov, që e mbante pa leje në banesë, dhe pasi ka gjuajtur tre herë në ajër nga tarraca e banesës së tij, ka zbritur më pas në oborrin e shtëpisë, ku edhe është vetëplagosur me një plumb në pjesën e poshtme të nofullës. Mamo është transportuar për në repartin e urgjencës të spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal. Burime nga bluzat e bardha bënë të ditur për “Shqip” se gjendja e 64-vjeçarit është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ai është transportuar me helikopter për në Tiranë, ku do i nënshtrohet një trajtimi më të specializuar.
#