E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks aplikimesh për dokumentet e reja të identifikimit

Peshkopi

Fluks pranë zyrave të aplikimeve për pasaporta biometrike dhe karta identiteti në Peshkopi. Qysh në orët e para të mëngjesit, pranë kësaj zyre vërehen radhë të gjata prej dy rreshtash, gra dhe burra, në pritje për të aplikuar për t’u pajisur me dokumentet e reja të identitetit. Në të vetmen zyrë aplikimi që shërben për gjithë Rrethin e Dibrës, përjashtuar Komunën e Maqellarës, vepron vetëm një operator që e ka pothuajse të pamundur të eliminojë radhët e gjata të pritjes për këta aplikantë. “Ka kërkesa të shumta për aplikim, thotë administratori i kësaj zyre, Nertian Jova, i cili shton se në pjesën më të madhe të rasteve aplikantët janë emigrantë që kërkojnë të pajisen me dokumente identifikimi. “Deri në orën 12:00 sot kanë aplikuar rreth 120 qytetarë dhe siç e shikoni, përsëri ka radhë për aplikim”, pohon Jova. Gjithsesi, krijimi i këtyre radhëve krijon jo pak probleme për aplikuesit, jo vetëm nga sfilitja që vjen prej tyre, por edhe nga fakti se vonesat nuk mund të tolerohen nga emigrantët për arsye të lejeve të kufizuara që ata kanë në vendet e tyre të punës në shtetet fqinje. Ndërkohë, edhe në ditët në vijim pritet që fluksi i aplikantëve të vijë në rritje për arsye të ardhjes me leje të emigrantëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›