Shoqata e Gjuetarëve: Stop gjuetisë së paligjshme
Shoqata e Gjuetarëve në Rrethin e Malësisë së Madhe ka apeluar dje për gjuetinë e paligjshme që po bëhet në liqenin e Shkodrës. Sipas drejtuesve të shoqatës, persona të papërgjegjshëm janë duke gjuajtur në mënyrë të paligjshme peshk dhe rosa të egra, në territorin që është nën juridiksionin e Rrethit të Malësisë së Madhe. Më tej ata janë shprehur se gjuetia e paligjshme është duke u bërë me mjete shfarosëse, si lëndë plasëse dhe rrymë elektrike, gjë që rrezikon shfarosjen masive të të gjitha llojeve të peshqve që ndodhen në liqenin e Shkodrës. Drejtuesit e shoqatës së Malësisë së Madhe kanë kërkuar nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse që të ndërhyhet sa më shpejt për ndalimin e kësaj gjuetie, e cila po çon drejt shfarosjes së gjithë botës së gjallë nënujore. Në këtë zonë, peshkimi është i ndaluar deri në fillim të muajit shtator. Por pavarësisht urdhrit për ndalimin e gjuetisë, në tregun e Shkodrës dhe të Koplikut mund të gjenden fare lehtë disa lloje peshqish që rriten në liqenin e Shkodrës. Kjo tregon se gjuetia në liqenin e Shkodrës vazhdon normalisht, pavarësisht se është periudha kur ndalohet rreptësisht gjuetia në liqen.
#