Dogana e Tushemishtit, një vit kantier ndërtimi
Dogana e Tushemishtit ende nuk ka përfunduar së ndërtuari, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga afati i dorëzimit të punimeve. Projekti që parashikonte përfundimin e kompleksit të ri doganor brenda një viti, tashmë ka tejkaluar afatet. Ndërkohë që punimet në këtë vendkalim kufitar me shtetin maqedonas janë ndërprerë disa herë, duke çuar edhe në vonesën e dorëzimit të këtij objekti.
ZvarritjetSipas të dhënave që referon firma tenderuese, shkak për zvarritjet është bërë një nga godinat ekzistuese, e cila duhet të prishet për të kryer ndërtimin e një godine të re. Sipas projektit fillestar është parashikuar që ndërtesa e re të shërbejë për dezinfektimin. Ka qenë kjo ndërtesë e vjetër, e cila ka penguar avancimin e punimeve, pasi ajo është e lidhur me rrjetin dhe sistemin përmes së cilit funksionon puna e doganës dhe pikës kufitare. Por edhe me rrjetin furnizues të energjisë elektrike dhe atë të kanalizimeve.
“Si procedurë, ndërtimi ka përfunduar, por ka pasur vonesa për shkak se punimet janë penguar nga një ndërtesë ekzistuese. Aty ku ndodhet godina e vjetër e doganës, është parashikuar të ngrihet një ndërtesë e re që do të shërbejë për dezinfektimin. Godina e vjetër dykatëshe ka pasur probleme, pasi pengonte edhe projektin e kanalizimeve dhe është e lidhur me rrjetin elektrik dhe të kanalizimeve. Jemi vonuar me zbatimin e projektit në këtë pjesë. Komuna ndërhyri për ta prishur, por duhet që të hiqet edhe energjia dhe të nisin punimet për godinën e re”, shprehet inxhinieri i punimeve, Valmir Cenolli.
AfatetDogana duhet të përfundonte në muajin qershor, ndërkohë që procedurat vazhdojnë të kryhen në ndërtesën e vjetër, edhe pse ka një fluks në rritje të lëvizjeve në këtë pikë kufitare me Maqedoninë. Sipas projektit që kushton një investim prej 550 mijë eurosh është parashikuar të ndërtohet godina qendrore me sportelet për procedurat e përpunimit të qytetarëve, por dhe të mallrave, zyrave të punonjësve të doganës dhe policisë kufitare, një godinë e re për inspektimin e mjeteve, godina e krematorit për djegien e shpendëve, si dhe godina e dezinfektimit dhe peshorja. Por deri më tani kanë përfunduar vetëm një pjesë e punimeve dhe dogana ende nuk është gati për të pritur me kapacitet të plotë qytetarët nga të dy anët e kufirit.
#