E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë të blejnë karburant me euro false, në pranga edhe për drogë

Lushnjë Të rinjtë tiranas janë ndalur në afërsi të Durrësit

Katër të rinj nga kryeqyteti janë vënë në pranga nga policia e Lushnjës, për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, si dhe “falsifikim kartëmonedhash të huaja”. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lushnjës, të rinjtë janë ndalur në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërkohë që fleta e arrestit për ta është prerë rreth orës 11:00, pas përfundimit të të gjitha procedurave hetimore. Sipas burimeve zyrtare të policisë Lushnjë, mësohet se katër të rinjtë e arrestuar janë: Ani Ibrahimi 21 vjeç, Erjon Braho 22 vjeç, Ledio Kambo 23 vjeç dhe Drini Skuka 22 vjeç. Të katër të rinjtë kanë si vendlindje dhe vendbanim Tiranën, dhe nuk rezultojnë asnjëherë të dënuar më parë për ndonjë vepër penale. Duke ju referuar burimeve të gazetës nga Komisariati i Lushnjës, mësohet se në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, katër të rinjtë që ishin duke u kthyer nga Saranda, ku kishin qenë për fundjavë, kanë ndaluar te një nga karburantet që ndodhen përgjatë autostradës Fier-Lushnjë. “Të rinjtë udhëtonin me automjetit e tipit ‘Mercedez Benz’, me targa TR1282N dhe kanë ndaluar për t’u furnizuar me karburant në një distributor që ndodhet afër ‘Pushimit të shoferit’. Ata kanë tentuar ta furnizojnë me benzinë makinën me kartëmonedha false të prerjes 50 euro. Punëtori i karburantit, pasi ka pikasur eurot false, nuk ka pranuar që t’ju shërbejë të rinjve”, shprehen për gazetën burime nga grupi i hetimit. Punëtori i karburantit ka njoftuar pronarin e vet dhe ky i fundit policinë lokale. Menjëherë pas të dhënave të servirura nga punëtori i karburantit një grup policësh është nisur në drejtim të katër të rinjve që vijonin rrugën drejt Tiranës. Ata janë ndalur nga uniformat e policisë Durrës, që ishin njoftuar nga policia e Lushnjës. Mësohet se në vijim të veprimeve hetimore nga kontrolli i ushtruar në mjetin që po udhëtonin të rinjtë janë gjetur 9 porcione të ndara në qese plastmasi, të cilat dyshohen si lëndë narkotike e llojit kokainë, gjithsej me peshë 3.6 gramë, si dhe një qese me peshë 0.95 gramë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, si dhe 6 copë kartëmonedha 50 euroshe false. Pas arrestimit ata janë transportuar për në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, nga ku materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›