Sulmohet me thikë kambisti, tentohet të grabitet
Plagoset me thikë një kambist në qytetin e Fierit, ndërkohë që policia ende nuk ka një autor të ndaluar për grabitjen. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, në orët e mesditës, ndërsa në rrugë nuk ka pasur kalimtarë. Objekt i sulmit është bërë pika e këmbimit valutor të Ethem Isufit, i cili kohët e fundit kishte marrë me qira një ambient te banka e vjetër e qytetit, në afërsi të urës kryesore. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në momentin që do të dilte jashtë zyrës, Isufi është përballur me një person, i cili e ka goditur me thikë në shpinë dhe ka tentuar t’i rrëmbejë çantën e lekëve. Por në momentin e sulmit, kambisti ka kërkuar ndihmë dhe agresori është larguar pa mundur të realizojë grabitjen e lekëve. Pas njoftimit të marrë, forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Kambisti i plagosur është çuar në spitalin rajonal të Fierit dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimin për të zbardhur ngjarjen. Policia po heton në dy pista, atë të grabitjes, si dhe të konfliktit të mundshëm midis kambistit dhe një personi tjetër për shkak ndoshta edhe të konkurrencës. Gjithsesi i mbetet policisë për të zbardhur ngjarjen, ndërkohë që kambisti ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
#