Depresioni, vetëvriten dy të rinj në Elbasan dhe Durrës
Dy të rinj janë vetëflijuar gjatë 48 orëve të fundit në Elbasan dhe në Durrës. Njëri prej tyre ka zgjedhur armën e shërbimit për t‘u vetëvrarë, ndërkohë që tjetri ka zgjedhur litarin. Mbrëmjen e së hënës, një 21-vjeçar nga qyteti i Cërrikut që kryente shërbimin ushtarak në fshatin Krastë të Elbasanit, është vetëvrarë gjatë shërbimit. Në orën 22:10 të së hënës, Eglantin Mehmeti, ushtar efektiv në repartin e Mbrojtjes Civile në Krastë të Elbasanit ka vrarë veten me automatik. I riu sapo kishte marrë shërbimin e rojës, kur pas pak minutash, shokët e repartit dhe oficerët e shërbimit kanë dëgjuar të shtëna automatiku. Nuk kanë kaluar as pesë minuta dhe trupi pa jetë i ushtarit 21-vjeçar nga lagjja nr. 3 e qytetit të Cërrikut është gjetur i shtrirë dhe i përgjakur në vendin e shërbimit, përballë godinës së fjetjes së ushtarëve. Mësohet se 21-vjeçarit i kishte mbetur vetëm 2 muaj shërbim ushtarak. Mendohet se depresioni ishte shkaku që çoi të riun në vetëflijim, ndonëse hetimet vazhdojnë. Ndërkohë në Durrës, 27-vjeçari, Leonard Molla, me banim në lagjen 8 të qytetit bregdetar, është viktima e radhës e vetëvrasjeve si pasojë e depresionit. Të paktën kështu rezulton nga hetimet e para mbi ngjarjen. Ai u gjet i vetëvarur në ambientet që kishte marrë me qira muaj më parë, për të ushtruar aktivitetin e tij së bashku me të atin, në Spitall të Durrësit. Pas pak kohësh, i riu do të bëhej baba për herë të parë, po ditën e martë, është gjetur nga i ati në ambientet e zdrukthëtarisë të cilën viktima e kishte marrë me qira. Pasditen e së hënës, Leonardi nuk ishte kthyer në shtëpi. Familjarët janë shqetësuar nga kjo mungesë dhe janë përpjekur ta gjejnë, po pa menduar ta kërkojnë në zdrukthëtarinë ku punonte me të atin, për shkak të largësisë me vendin e banimit. Dje, rreth orës 09:00, babai i tij ka shkuar si zakonisht në punë dhe ka gjetur të birin 27-vjeçar të vetëvarur. Ndërkaq po hetohet dhe për borxhet që mund të ketë pasur viktima për të hapur këtë aktivitet privat dhe pamundësia për t‘i shlyer për shkak të mungesës së punës.