Luante me shilarës, mbytet nga litari fëmija 8 vjeç
Një nxënës i klasës së dytë ka humbur jetën në lojë e sipër. Ngjarja tragjike ka ndodhur në zonën e Spitallës, në qytetin bregdetar të Durrësit. Agustin Lasku, 8 vjeç, ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, kur është mbytur nga litari i shilarës në të cilin po argëtohej. Vogëlushi është çuar me urgjencë nga gjyshërit në spital, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, fëmija ka ndërruar jetë dje pasdite. Paraprakisht deklarohet se ngjarja ka qenë aksidentale. Megjithatë po hetohet për të mësuar më shumë mbi rrethanat e vdekjes së parakohshme të fëmijës. Mësohet se Agustini ka qenë bashkë me disa shokë. Nga hetimet paraprake rezulton që vdekja i ka ardhur si pasojë e shtrëngimit në fyt të litarit të shilarës, rezultat i lojës së shfrenuar fëmijënore. Një rrotullim koke dhe shpejtësia e lëvizjes së tij e ka vënë fëmijën nën shtrëngimin e tij. Me gjithë ndërhyrjen e të rriturve të shtëpisë, për të këputur litarin, shtrëngimi ka qenë fatal. Familja e Frrok Laskut është zhytur në zi, ndërsa u është dashur të përballen edhe me punonjësit e policisë dhe organit të akuzës për të hedhur dritë plotësisht mbi ngjarjen, e cila paraprakisht vlerësohet si aksidentale, ndërkohë që mësohet se hetimet do të vazhdojnë.