Deputetë të Kosovës falënderojnë Topallin për rolin e Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur ditën e djeshme një grup deputetësh nga Kuvendi i Kosovës të cilët kanë falënderuar atë për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në lobimin e tij për njohjen sa më të gjerë të pavarësisë së Kosovës. “Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë unike, mbështetja e Shqipërisë për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës është e çmuar e për këtë populli i Kosovës do t’ju jetë gjithnjë mirënjohës. Roli që qeveria, Kuvendi i Shqipërisë dhe ju zonja Topalli, si lidere e diplomacisë parlamentare, keni luajtur për çështjen e Kosovës, është shumë i vyer për ne”, - thanë deputetët nga Kosova. Ne kemi nevojë për përvojën tuaj dhe duam që sfidat t’i ndajmë bashkë. Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi që ekziston në rajon është shumë i rëndësishëm në shkurtimin e rrugës së përbashkët evropiane. Ne ndihemi të respektuar në Kosovë, në shtetin tonë dhe na vjen mirë për gjithçka pozitive që ndodh”, - thanë në këtë takim deputetët kosovarë. “Kuvendi i Shqipërisë ka një kalendar të qartë pune për sa i përket çështjes së Kosovës. Kemi lobuar e do të vijojmë lobimin për njohjen e shtetit të ri që po dëshmon gjithnjë e më shumë vlerat shtetformuese. Ne do të punojmë gjithashtu që Kosova të jetë sa më shpejt pjesë e organizmave ndërkombëtare, duke nisur nga Këshilli i Evropës”, - tha Topalli. Biseda u fokusua gjerësisht në ndërtimin e rrugës Durrës - Morinë, punimet e së cilës do të shkojnë t’i shohin vetë nga afër ditën e sotme deputetët nga Kosova së bashku me deputetë nga Kuvendi i Shqipërisë. Ata e cilësuan këtë rrugë si portë kombëtare.