E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS-së kundër Ramës për taksën vendore

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është kundër projektligjit për taksën vendore të propozuar nga Bashkia e Tiranës. Edhe pse ligji në fjalë mban për bashkëpunëtor në hartimin e tij Bashkinë e Tiranës, e cila drejtohet nga kryetari i PS-së, Edi Rama, grupi kuvendor socialist e konsideron joserioze këtë nismë. Lidhur me këtë çështje, deputetët diskutuan dje në mbledhjen e radhës dhe kryesisht, ata që janë anëtarë të Komisionit të Ekonomisë ku ka kaluar ligji, u shprehën kundër tij. Burime nga selia rozë konfirmuan se deputeti Erion Braçe, Arben Malaj dhe Raimonda Stefa kanë dhënë argumentet kundër këtij projektligji, i cili ka për bazë dyfishimin e taksave vendore, si dhe shtimin e disa të tjerave. “Nuk kam se si t’ua shpjegoj këtë zgjedhësve të mi”, - mësohet të jetë shprehur deputetja e zonës së Fierit, Raimoda Stefa. Ndërsa deputeti Erion Braçe mësohet të jetë shprehur se “unë nuk e votoj sepse është jashtë çdo logjike”. Megjithatë, theksuan burimet, grupi kuvendor nuk arriti të marrë një vendim konkret se si do votojë, pro apo kundër, pikërisht për shkak të këtij “konflikti”. Nga ana tjetër, krerët e selisë rozë janë munduar që ta konsiderojnë projektligjin në fjalë si propozim të ardhur nga qeveria ose mund të ketë një tërheqje të bashkisë, e cila po mundohet ta rikuperojë këtë bashkëpunim. Në fakt, projektligji është hartuar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Financave. Projektligji ka kaluar më parë në Komisionin e Ekonomisë dhe po aty përfaqësuesit e qeverisë e kanë vënë theksin se iniciatore e këtij projektligji është Bashkia e Tiranës. Madje në Komisionin e Ekonomisë përfaqësues të opozitës kërkuan që ligji të mbrohej nga përfaqësuesit vendorë, por shumica ka pretenduar se nuk është e nevojshme sepse ligji është bërë në bashkëpunim me ta. Edhe pse nuk është përcaktuar ende natyra e votës që do i jepet në Kuvend kësaj nisme ligjore, kryetarja e grupit kuvendor, Valentina Leskaj, pas mbledhjes së grupit pohoi se ishte kundër ligjit, por duke ia lënë nismën “në derë” PD-së. “Projekti i paraqitur nga Partia Demokratike nuk është serioz, nuk i shërben qoftë pushtetit vendor apo përmirësimit të cilësisë së jetës së njerëzve. Përkundrazi, ai reflekton pamundësinë e mazhorancës për të mbledhur taksa dhe përpiqet që të shtojë taksa. Kjo kishte nevojë për reformë dhe paketë integrale, për sa i përket sistemit të taksave”, - u shpreh Leskaj. Gjatë diskutimit të këtij projektligji në Komisionin e Ekonomisë, këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo, është shprehur se “gjatë hartimit të projektligjit, kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Financave dhe është arritur konsensusi i plotë për projektligjin”.

Rama: Çdo degë e PS-së, 50 emra kandidatësh për deputetë

Kryetari i Partisë Socialiste u ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, pjesë e së cilës janë krerët e PS-së në fshat dhe në qytet, që në kuadër të përzgjedhjes së kandidaturave për deputet të përpilojnë një listë me 50 emra për të cilët ata mendojnë se janë figura që mund të fitojnë. Kështu, degëve e PS-së në rrethe do t’u duhet të përpilojnë listat me figura që spikatura të zonave ku ata drejtojnë për të bërë përzgjedhjet e duhura, rezultati i së cilës është përzgjedhja e kandidatit për deputet në zgjedhjet e vitit 2009. Ky urdhër i kreut të PS-së duket se ecën paralelisht me deklarimin e tij po në këtë mbledhje se në krye të listave të kandidatëve për deputetë do të jenë figura të spikatura të qarqeve, madje njerëz të rinj dhe të papërfolur më parë. Në këtë mënyrë, këta të fundit do të jenë pjesë e kategorisë së parë të kandidatëve. Në pjesën e dytë do të përfshihen emra që kandidojnë, por që për një arsye apo një tjetër fitorja e tyre vihet në pikëpyetje dhe kategoria e tretë, emrat që nuk kanë asnjë shans për të fituar. Përmes këtij deklarimi, të vjetrit e PS-së kanë më pak shanse se kurrë për t’u rikonfiguruar në Kuvendin e ardhshëm që do të dalë pas zgjedhjeve të 2009-ës. Mbledhja e Asamblesë Kombëtare shënoi startin e përgatitjeve të selisë rozë për zgjedhjet e ardhshme, ku misioni më i vështirë duket se është ai i përzgjedhjes së kandidaturave për deputet. “Deri në muajin dhjetor duhet të ketë marrë fund përcaktimi i kritereve për ekipin e ardhshëm të PS-së që do kandidojë për deputet në zgjedhjet e 2009-ës”, - thuhet në axhendën korrik-dhjetor të kësaj partie.

Rama: Asnjë fond për fshatin në buxhetin shtesë

Kryetari i Partisë Socialiste reagoi dje lidhur me buxhetin shtesë që sapo është miratuar nga qeveria. Sipas Ramës, në buxhetin shtesë nuk ka asnjë fond për përmirësimin e gjendjes në fshat. Gjatë një komunikimi me mediat, Rama ka renditur një sërë problemesh që hasin banorët në fshat, të cilët detyrohen të hedhin prodhimet e tyre në rrugë sepse nuk ka politika shtetërore që t’u marrë parasysh rrezikun. Mes këtyre problemeve, Rama ka renditur edhe çështjen e importit të barit të thatë. “Kryeministri flet për bum ekonomik, ndërkohë që mbi fshatin vazhdojnë të bien bombat e papërgjegjshmërisë dhe të paaftësisë të skajshme të tij dhe të qeverisë së tij, që me siguri është e vetmja në botën demokratike, që nuk e llogarit fare fshatin në listën e punëve të veta dhe që ka paturpësinë të flasë për bum ekonomik në kushtet kur edhe barin e thatë Shqipëria e importon nga jashtë”, - tha Rama. Sipas kryesocialistit, në buxhet nuk është parashikuar asnjë lek për fshatin që punon, asnjë investim në mbështetje të bujqve dhe fermerëve shqiptarë, asnjë shenjë se kjo qeveri mund të kuptojë se pa ndihmuar fshatin të prodhojë e të shesë, nuk mund të ketë çmime të arsyeshme për ushqimin e familjeve shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›