E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Gjobë kush nuk do të përdorë kartën e identitetit

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka raportuar ditën e djeshme në Komisionin parlamentar të Integrimit mbi procesin e prodhimit, afateve si dhe dobishmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Nishani tha se në janar të vitit 2009 do të fillojë pajisja e qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit. Ai theksoi se çdo qytetar duhet të pajiset me kartën e identitetit, pasi mungesa e saj do të sjellë pasoja. “Në rast se një polic do të ndalojë ndonjë qytetar i cili nuk disponon kartën e identitetit, ai do të gjobitet. Njëkohësisht çdo shërbim apo çdo pagë do të merret vetëm kur të tregohet karta e identitetit. Pasaportat biometrike do të jenë të pajisura me të gjitha elementet kryesore, si një dokument, i cili do të jetë i integruar me të gjitha sistemet e verifikimit të dokumenteve të identitetit të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian”, - tha Nishani përpara deputetëve. Me cilësinë e kryetarit të komisionit, Ilir Meta theksoi nevojën për një transparencë më të madhe nga qeveria për këtë proces shumë të rëndësishëm për plotësimin e atyre standardeve të kërkuara nga BE-ja, për pajisjen me karta identiteti për të gjithë shtetasit shqiptarë para zgjedhjeve të 2009-ës. Ministri Nishani garantoi se ky proces do të marrë fund përpara zgjedhjeve të vitit 2009. “Në rast se ne nuk realizojmë kartat e identitetit para zgjedhjeve të ardhshme dhe nëse qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë që me këto karta të marrin pjesë në procesin zgjedhor, atëherë sigurisht ne nuk kemi plotësuar një nga kërkesat dhe standardet për t’i vlerësuar zgjedhjet e ardhshme si zgjedhje të standardeve evropiane. Kështu, kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për qeverinë shqiptare në radhë të parë dhe për mazhorancën dhe ajo që ne kërkojmë sot, është marrja fund e gjithë këtyre vonesave dhe justifikimeve dhe përshpejtimi i këtyre afateve”, - tha Meta.

Beja: Brenda këtij sesioni do të votojmë dekretet

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, u shpreh ditën e djeshme se komisioni ka nisur nga puna me shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të vendit Bamir Topi për gjashtë anëtarë të rinj në Gjykatën Kushtetuese. “Ka filluar puna. Të premten u është kërkuar kandidatëve të plotësojnë materialet mbështetëse, dosjet e tyre. Do fillojmë sot me kërkesat ndaj institucioneve përkatëse dhe do fillojmë në ditët e ardhshme apo në javët e ardhshme me prezantimin dhe dëgjimin e tyre”, - tha Beja. I pyetur nga mediat se a do të arrijë të shqyrtohen brenda këtij sesioni parlamentar kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i punimeve, Beja tha se për këtë po punohet. “Do punojmë ta realizojmë brenda këtij sesioni”, - tha ai. Më 8 korrik, Presidenti i Republikës dekretoi kandidaturat e Andi Çelikut, Arjana Fullanit, Guxim Zenelajt, Majlinda Andreas, Evelina Qirjakos dhe Aleksandër Muskajt për plotësimin e vendeve bosh në Gjykatën e Lartë. Dekretimi erdhi pas një procesi konsultimi me një grup pune të ngritur për këtë qëllim, i cili ofroi ekspertizë ligjore në përzgjedhjen e emrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›