E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria nxjerr në ankand KESH-in e INSIG-un

Qeveria nxjerr në ankand ndërmarrjen shtetërore KESH, ndërkohë që në proces privatizimi do të futet dhe INSIG, pasi është mbyllur procesi me ARMO-n. Kryeministri Sali Berisha informoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mbi vendimin për paketën e aksioneve të privatizimit të shpërndarjes së KESH-it, të cilën e konsideroi si "një hap madhor drejt liberalizimit real të tregut". Deri tani janë parakualifikuar 4 kompani evropiane, por gara është në vazhdim. Gjithashtu, kreu i qeverisë informoi se "konsulenti i përzgjedhur në këtë proces ka qenë korporata financiare ndërkombëtare, Dega Tregtare e Bankës Botërore, e cila për rreth 18 muaj ka bërë një punë jashtëzakonisht voluminoze për parapërgatitjen e privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike". Duke u angazhuar për një proces transparent, Berisha garantoi se "njëlloj si në rastin e ARMO-s, ofertat do të hapen në mënyrë transparente, para mediave". Ai shprehu bindjen se me këtë privatizim bëhet një hap shumë madhor në procesin e privatizimeve në Shqipëri". Sipas Kryeministrit, "pas privatizimit me sukses të plotë të njërit prej sektorëve madhorë strategjikë të vendit, që ishte ARMO, e cila u privatizua me një vlerë 13 herë më të lartë sesa oferta që i ishte bërë qeverisë së mëparshme, tani ndërmerret hapi i dytë madhor, për privatizimin e shpërndarjes së energjisë elektrike". Ky vendim pritet të ketë një ndikim shumë të madh në menaxhimin e këtij sektori, pasi gjithnjë fuqia menaxhuese e sektorit privat, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend tjetër, është e pakrahasueshme me fuqinë menaxhuese të sektorit publik dhe ky është njëri prej qëllimeve më kryesore të privatizimeve". Berisha vlerësoi se ky vendim inkurajon më tej liberalizimin real të tregut dhe për rrjedhojë ndihmon shumë në plotësimin e nevojave të qytetarëve me energji elektrike. Sipas Kryeministrit, privatizimi i shpërndarjes i jep mundësi angazhimit të investimeve private në modernizimin e këtij procesi dhe kjo është e domosdoshme për rritjen e standardeve të furnizimit me energji elektrike.

Po dje Kryeministri Berisha vuri në dukje se "në proces privatizimi është edhe INSIG-u, kompania e sigurimeve, gjysmë shtetërore". Ndërkohë, sipas tij, "është hapur procesi i parakualifikimit për licenca të reja në frekuencat ultra të shkurtra për operatorë të rinj në fushën e telekomunikacionit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›