Xhufi: Kushtetuta është e qartë për dekretet e Presidentit
Kryetari i grupit parlamentar LSI-PDS, Pëllumb Xhufi, reagoi dje për mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të dy ditëve më parë, kur u diskutua për dekretet e Presidentit. Sipas tij, Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë që Presidenti dekreton emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët pastaj marrin pëlqimin e Kuvendit. “Kaq përcakton Kushtetuta, as më shumë dhe as më pak. Pra, Kuvendi e ka të drejtën e tij, qoftë në seancë plenare, por qoftë edhe komisioni përkatës, të diskutojë dhe për atë që quhet merita e kandidatëve, të cilët pastaj filtrohen nga salla e Kuvendit, siç ndodh për çdo dekret të Presidentit”, - tha Xhufi. Ai bëri të ditur se edhe ky grup parlamentar nuk do të pranojë të votojë sipas versionit të mazhorancës, por do të kërkojë që të kryhet votimi për dekretet e Presidentit, sipas asaj çfarë parashikon rregullorja. “Absolutisht që ne nuk do të pranojmë. Do të rezistojmë, do të qëndrojmë dhe do të refuzojmë me forcë pikërisht të biem në këtë lojë të re që ka përgatitur mazhoranca dhe krerët e saj, dhe në të cilën me siguri zonja Topalli, si gjithnjë, do të mundohet të imponojnë vullnetin e saj dhe të Kryeministrit të saj. Pra, do ta kundërshtojmë me forcë një tentativë të tillë dhe do të kërkojmë që të zbatohet ajo çfarë përcaktohet në Kushtetutën e rregulloren e Kuvendit, të kalohet në votim për dekretet”, - deklaroi Xhufi.