E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Mediut t’i hiqet imuniteti

Anëtari i Komisionit të Këshillit të Imuniteteve, Petro Koçi, dorëzoi dje në Kuvend mendimin e tij lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Koçi vëren se duhet zbardhur sa më parë ngjarja e Gërdecit dhe se Kuvendit duhet t’i heqë imunitetin Mediut. “Nëse shteti ligjor nuk do të arrijë të zbardhë plotësisht përgjegjësit penalë, administrativë dhe politikë të kësaj tragjedie, atëherë të gjitha angazhimet tona institucionale për të luftuar krimin dhe korrupsionin do të komprometohen në mënyrë vështirësisht të kthyeshme në kohëzgjatjen e mandatit aktual të drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve”, - thuhet në këtë raportim me shkrim. Ai vëren se veprimtaria e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme në hetimin, zbulimin dhe dërgimin në gjykatë të përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit ka nevojë për inkurajim, mbështetje dhe bashkëpunim të Kuvendit të Shqipërisë. Njëkohësisht, deputeti Koçi bën të ditur se kërkesa dhe dosja plotësuese në përgjigje të nevojave të Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve janë të kompletuara dhe argumentojnë në mënyrë bindëse kërkesën për procedimin penal të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›