Deputetët bindin Gjinin të ndalojë grevën e etjes
Aristir Lumezi
Shëndeti i deputetëve të ngujuar të urisë dje ka vazhduar të jetë kritik. Deputetët pjesëmarrës në grevën e urisë kanë mundur dje të bindin demokristianin Frrok Gjini, të heqë dorë nga moskonsumimi i ujit të pijshëm, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë. Dy ditë më parë, Gjini vendosi të ndërpresë edhe konsumimin e ujit të pijshëm në formë proteste për të sensibilizuar krerët e shtetit dhe drejtuesit e përfaqësive kryesore diplomatike. Deputeti demokristian ka probleme të rënda shëndetësore, pasi ka ndaluar marrjen e ilaçeve dhe të ujit të pijshëm. Ai ka marrë vendimin ekstrem të ngujimit, duke mos pranuar të marrë asgjë si ndihmë për shëndetin e tij. Por duke parë përkeqësimin e shëndetit të tij, deputetët e tjerë i kanë kërkuar atij të rinisë ujin e pijshëm. Pothuaj gjatë gjithë ditës, grupi i mjekëve ka qëndruar pranë tyre duke bërë vazhdimisht matje tensioni, të glicemisë në gjak por dhe analiza të tjera. Pas shtatë ditësh, edhe pse nën kontroll intensiv mjekësor, greva ka dhënë efektet e veta. Luhatje tensioni, ulje e glicemisë në gjak, rritja e kripërave në urinë janë disa nga konstatimet e analizave mjekësore. Deputeti i PDK-së Ymer Tola është rikthyer në grevë. Deputeti Dritan Prifti njoftoi dje se Ymer Tola i është rikthyer grevës. "Ai ka pasur disa çrregullime të rëndësishme në analizat e gjakut. I janë bërë analizat në mëngjes dhe është vënë alarmi nga ministria dhe nga mjekët për disa tregues të analizave të tij gjakut. Ka shkuar me urgjencë në spital për të ribërë analizat dhe në ribërjen e tyre, analizat kanë dalë dhe më keq se analizat e para. Unë sot në mëngjes kam komunikuar me ministren e Shëndetësisë për mundësinë për të bërë disa ekzaminime shtesë për zotin Tola. Gjendja e tij është me të vërtetë kritike, sepse është konfirmuar nga analizat, që janë përsëritur dje gjatë ditës", tha Prifti. Tola, si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore është detyruar të lerë grevën për t'u dërguar me urgjencë në spital mbrëmjen e të shtunës me një autoambulancë. Analizat e gjakut të deputetit demokristian Tola kanë rezultuar me shumë probleme, kjo ka bërë që mjekët të kërkojnë një ekzaminim më të plotë të tij dhe më të specializuar. Deputeti demokristian, Ymer Tola ka shfaqur probleme të uljes së nivelit të sheqerit, hipoglicemisë. Ai duket se ka vuajtur më parë nga mëlçia, por greva e urisë duket se ka ndikuar për ta agravuar këtë patologji të deputetit. Sipas deputetit Prifti edhe deputeti Braho tashmë është pothuajse gjithë kohës i shtrirë, i pamundur për të lëvizur apo pasur ndonjë lloj aktiviteti. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Pëllumb Xhufi, i cili një ditë më parë kishte luhatje tensioni, dje ka qenë më i stabilizuar. Ministria e Shëndetësisë i kërkoi deputetit të LSI-së, Spartak Braho që të dalë nga greva e urisë, pasi gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet nga dita në ditë. Deputeti Braho nuk ka pranuar që të dalë nga salla, duke kërkuar që të vazhdojë grevën e tij. Deputeti i PS '91, Petro Koçi ka pasur shqetësime, ulje të nivelit të sheqerit. Deputetët grevistë janë vizituat dhje nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, e cila është interesuar për gjendjen shëndetësore të deputetëve grevistë. Ajo i ka garantuar deputetët se njësia mjekësore do të jetë vazhdimisht pranë tyre me specialistët më të mirë, ndërsa do të ketë dhe komunikim zyrtar nga kjo ministri për veprimet e mjekëve ndaj deputetëve dhe gjendjen shëndetësore të tyre.