Sot protestë e madhe para Kuvendit
Sot LSI dhe shoqëria civile kanë paralajmëruar protestën më të madhe të organizuar deri tani para godinës së Parlamentit në orën 16:00 të pasdites. Kjo protestë organizohet edhe për shkak se deputetët e Kuvendit do të shkojnë në seancën plenare në orën 17:00 për të miratuar Kodin e Ri zgjedhor për të cilin 10 deputetët e këtij kuvendi protestojnë prej 8 ditësh në një grevë urie. Ka një javë që simpatizantë të LSI, PDK dhe PS '91, por dhe qytetarë të kryeqytetit protestojnë çdo ditë para godinës së Kuvendit, ku janë ngujuar deputetët. Organizatorët e protestës së sotme shprehen se do të organizojnë një tubim madhështor me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura të vendit, ku do të protestojnë në mbrojtje të votës së lirë dhe kundër monopolizimit të saj nga dy partitë e mëdha, PD-PS. Edhe dje ka vijuar protesta e mbështetësve të deputetëve grevistë, ku kanë folur drejtues të LSI-së, PDK-së para protestuesve, por dhe intelektualë të njohur që kanë mbështetur qëllimin e grevistëve për një kod gjithëpërfshirës. Gjatë protestave të këtyre ditëve nuk kanë munguar edhe mesazhet e grevistëve, si Ilir Meta, i cili dy ditë më parë komunikoi me grevistët përmes celularit. Po ashtu protestuesve i është drejtuar dhe deputeti liberal belg i Qendrës së Djathtë Denis Ducarme, i cili mbështeti grevën e deputetëve për votën e lirë.