Kadare: Çmitizimi i Skënderbeut, një fushatë e turpshme
Gjirokastër
Pas tetë vjetësh shkrimtari i madh Ismail Kadare, viziton qytetin e tij të lindjes. Shkak është bërë prodhimi i një dokumentari televiziv për një rrjet televiziv francez për jetën e Kadaresë, gjatë viteve që jetoi në Gjirokastër. Një tjetër arsye që e ka sjellë në Gjirokastër shkrimtarin e madh shqiptar, ishte edhe njohja nga afër e ecurisë së punimeve në banesën e tij të rindërtuar pas djegies, që pësoi në nëntor të vitit 1999. Mes një ambienti miqsh dhe të pasionuarish pas veprave të tij, Kadare është gjendur nën një atmosferë krejtësisht të lirshme çka i ka krijuar një emocion për të shprehur të pathënat e tij rreth mjaft çështjeve të diskutuara në të kaluarën përfshirë edhe vëllimet e fundit. Kadare është ndalur tek vepra e fundit, “Darka e gabuar”, e cila merr nxitje nga një ngjarje e pazbuluar e një nate vjeshte në Gjirokastër, në vitin 1943. Ishte koha kur Gjirokastra u mësy nga gjermanët, të cilët ditën e parë u pritën nga kirurgu i njohur gjirokastrit, Vasil Laboviti, në këmbim të lirimit të 80 pengjeve vendas. “Një darkë kjo, u shpreh Kadare, e cila u gjykua njëkohësisht e habitshme dhe mikpritje. Unë e kam shfrytëzuar, duke mbajtur mend të thënat e atëhershme, kur kam qenë jo më pak se shtatë vjeç”. Kadare për herë të parë iu përgjigj interesimit të së pranishmëve rreth kandidimit disa herë për çmimin “Nobel”, pa mundur ta fitojë atë asnjëherë. “Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim me këtë çmim, që do të thotë se ishte një veprim skandaloz, saqë edhe vetë shtypi u mor gjatë me këtë çështje”, është shprehur Kadare. “E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”, pohoi Kadare pa e përmendur emrin e tij. Ndërkohë pyetjes nga gazeta “Panorama” për raportet e tij me Rexhep Qosen, ai iu përgjigj se ato janë të njohura nga shtypi dhe nuk kishte asgjë për të shtuar. “Kam shprehur mendimin tim se jemi popull evropian dhe duhet të jemi pjesë e familjes evropiane. Qose mendon se jemi gjysmë-përgjysmë. Kjo lidhet edhe me pyetjen e mëparshme. Nëse turpi nuk do na mbetet për çmitizimin e figurës së Gjergj Kastriotit, do na mbetet për këtë çështje. Të ngresh tezën se një popull e ndryshon identitetin e tij pas një pushtimi është një gjë e turpshme”, është shprehur Kadare. Kadare ka gjetur rastin të flasë edhe për fenomenin e çmitizimit të figurës së Skënderbeut. Sipas tij kjo dukuri është një nga turpet e kombit shqiptar. “Ka disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pafytyrë. Problemi është shumë i thellë dhe themelor për kombin shqiptar. Të çmizitosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë. Duan të na mbushin mendjen se Gjergj Kastrioti ka qenë një figurë negative e historisë shqiptare. Kjo është një histori e vjetër në shëmtinë e saj. Ka pasur teza për këtë çështje. Teza e parë është krijuar nga fqinjët tanë rreth 200-300 vjet më parë. Para tyre këtë tezë e kishin ngritur turqit, se për ta Gjergj Kastrioti është një renegat, tradhtar dhe armik. Ka pasur përpjekje nga pjesa renegate e popullit shqiptar që janë bashkuar me këtë tezë, se janë të dërrmuar nga kjo pjesë. Të jesh kundër Gjergj Kastriotit do të thotë të parapëlqesh robërinë para lirisë dhe Shqipëria do të ishte vendi i parë në Evropë që do ta bënte këtë”, është shprehur me forcë Kadare, duke shtuar se vendi ynë do të ishte i pari në Evropë, që do t’i vinte një njollë të madhe dhe të shëmtuar historisë që nuk do të hiqej në shekuj. “Njerëz perversë me shpirt pseudointelektuali, janë bashkuar në këtë fushatë dhe Gjergj Kastrioti, është figura që simbolizon bashkimin e Shqipërisë me Evropën. Fushatë më të turpshme në histori nuk ka për të pasur dhe nëse e pranojmë do të jemi kombi më pa dinjitet në Evropë”, ka përfunduar Ismail Kadare.
Ndërsa për rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, Kadare ka qenë kategorik duke u shprehur se “Evropa ka kërkuar ashtu sikurse edhe vendeve të tjera të Lindjes, dënimin e periudhës komuniste dhe ky është një proces qytetërimi për kombin shqiptar”. Ai hodhi poshtë idenë e rivlerësimit të diktatorit komunist.
Kadare, 2 orë e gjysmë autografe
Për gati 2 orë e gjysmë, shkrimtari Ismail Kadare ka dhënë autografe në stendën “Onufri” në panair. Ditën e shtunë ishte parashikuar që prej orës 18.00-19.00 shkrimtari të ishte i pranishëm në stendën e shtëpisë botuese, që boton veprat e tij. Por ndodhi që shkrimtari të qëndronte më shumë se 2 orë e gjysmë në stendë, duke firmosur librat e blerësve të shumtë. Radha e atyre që donin të kishin një autograf të shkrimtarit të madh ishte e gjatë. Shumë syresh kishin blerë romanin më të fundit të tij “Darkë e gabuar”. Një kthim pas në kohë, në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania fashiste. Një kthim në vendin e lindjes mes kalldrëmeve dhe shtëpive të hirta, mes thashethemnajave dhe historive, që për vite kanë mbetur pa zgjidhje. Romani i fundit i Kadaresë bazohet në një histori të vërtetë, për të cilën shkrimtari thotë se e ka ngacmuar herë pas here. Por përveç “Darkë e gabuar”, njerëzit blinin dhe vepra të tjera të tij. Botuesi Bujar Hudhri thotë, se ky vit shënon një rekord të vërtetë. E ka të pamundur të thotë një shifër të saktë, se sa ishte numri i librave të firmosur. Di vetëm që nuk kishte ndodhur më parë një gjë e tillë. Dyndja në stendën e veprave të Kadaresë vijoi edhe gjatë ditës së djeshme. Njerëzit blinin me ngut, si të ishin kopjet e fundit.
Ndahen çmimet e më të mirëve
Panairi i 11-të i Librit shënon sot ditën e tij të tretë, por edhe ditën e çmimeve. Një numër i madh prezantimesh është parashikuar për ditën e sotshme. Kështu, pritet të jetë një takim për librin “Pro dhe kundër Blushit”, një përmbledhje e shkrimeve kushtuar librit të politikanit, “Të jetosh në ishull”. Do të prezantohet vepra e plotë e Çajupit, përgatitur nga prof. Jorgo Bulo, “Jetë me Nënë Terezën”, “Ikje nga kompleksi i Rozafës” dhe “Brirët e dhisë” me autor Artan Fugën, etj. Po sot pritet ndarja e çmimeve tradicionale të panairit të librit “Tirana 2008”, që janë “Shkrimtari i vitit”, “Përkthyesi i vitit”, çmimi “Odhise Grillo” për librin më të mirë për fëmijë, si dhe çmimi i gazetarëve të kulturës “Stenda me paraqitjen më të mirë”, si dhe “Libri më i realizuar grafikisht”.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme, ndër librat e rëndësishëm që u promovuan mund të përmendim “Shekull tjetër”, vëllim me tregime, autor Visar Zhiti, “Libër i hapur”, autore Vera Isaku, “Histori e psikologjisë” me autor Artan Hotin, etj.
Taçe prezanton ngujimin e Presidentit
Në edicionin e 11-të të panairit të librit “Tirana 2008” u prezantua dje libri “Ngujimi i Presidentit”, shkruar nga Durim Taçe, si dhe gjashtë librave të përkthyer nga ai vetë, botuar nga shtëpia botuese “Shkupi”, në Maqedoni. Libri me titull “Ngujimi i Presidentit” është një vepër fantazie nga realiteti i sotëm që të fut dridhmat, pastaj të bën të nënqeshësh hidhur. Personazhet dhe vendet e përmendura në të janë trilluar nga autori dhe përdoren prej tij për t’i dhënë vërtetësi rrëfimit. Drejtori i shtëpisë botuese “Shkupi”, Azem Dauti, u shpreh se “Ngujimi i Presidentit” është një vepër që për mrekulli bën lidhjen e kanuneve dhe të tashmes me një zhvillim imagjinar krijues, që me qindra ngjarje arrin t’i paraqesë në prag të një tmerri dhe hataje, e që në këtë prag ta rikthejë ngjarjen në humor e në përditshmërinë tonë reale, duke mbajtur lexuesin peng të romanit, apo siç e ka quajtur vetë autori triller”.
Shtëpia botuese “Shkupi” u themelua në vitin 1994. Ajo numëron 126 tituj të botuara nga të gjitha gjinitë letrare. Dramaturgu Stefan Çapaliku, duke folur për krijimtarinë e Taçes u shpreh se “kemi të bëjmë me një njeri, që e njeh mirë gjuhën shqipe, folklorin, traditat e shumë gjëra të tjera”. Pastaj u promovuan 6 romanet e përkthyera nga Durim Taçe, “Nën pemën e murrizit” (‘Under the hawthorn tree’), roman nga Marita Conlon Mc Kenna, “Tre sekonda qiell” (‘Trys sekundês dangaus’), roman nga Sigitas Parulskis, “Ligji i ëndërrave” (‘The laë of dreams’), roman nga Peter Behrens, “Bëmat e bukuroshes Vigdis” (‘Gunnar’s Daughter’), roman nga Sigrid Undset, nobeliste norvegjeze, “Kate”, roman nga Siobhan Parkinson dhe “Shkojmë të vjedhim kuaj” (‘Out stealing horses’), roman nga Per Peterson. Durim Taçe është përkthyes, romancier, gazetar. Aktualisht jeton në Bergamo (Itali), pa u shkëputur nga krijimtaria letrare dhe përkthimet.
Në kërkim të sozisë së diktatorit Enver Hoxha
Alma Mile
Me një gjysmë të vërtetaë dhe një gjysmë legjendë ai morri rrugët e Shqipërisë. Për rreth 20 vjet një dentist, apo ndihmësmjek fshati kishte shërbyer si sozia e diktatorit Enver Hoxha. Kishte përshëndetur nga ballkonet, kishte hedhur karafila, kishte përkëdhelur vogëlushët dhe buzëqeshja e tij rrezëllitëse kishte mallëngjyer sa e sa njerëz. Pas vdekjes së diktatorit dhe pas rënies së diktaturës, vetëm 6 vjet më pas, askush nuk e dinte se ku kishte përfunduar ky njeri. Në vitin 1991, kur komunizmi po shpërbëhej në të gjithë Evropën Lindore, Lloid Xhons (Lloyd Jones), fitues i sa e sa çmimesh letrare, vendosi të bënte një udhëtim drejt një vendi të humbur, aso kohe të pashpresë, Shqipërisë. Çka përjetoi neozelandezi në këtë vend ende të izoluar e botoi në vitin 1993 në librin “Sozia e diktatorit – Rrëfim nga një udhëtar”. Një gërshetim i rrëfimit të udhëtarit dhe imagjinatës. I padiskutueshëm dhe i vlerësuar në botimet angleze, neozelandeze, gjermane dhe së fundmi dhe amerikane. Tepër i vlerësuar në faqet e shtypit amerikan, sidomos nga “New York Times”, që e shpalli atë librin e vitit, vepra tronditëse e Xhonsit vjen edhe në gjuhën e vendit që e ngjizi, në shqip, përmes shtëpisë botuese “Pegi”. Nga një i huaj, që ka dëgjuar për Shqipërinë si të vetmin vend komunist të mbetur në Evropë, figura e diktatorit, që për gati 50 vjet e mbajti në këmbë këtë kështjellë rëre, është një mister i vërtetë. Sepse e tillë ishte figura e Enver Hoxhës edhe për vetë bashkëkombësit. Aq sa nisën të qarkullojnë “legjendat” me sozi, të cilët përfunduan kush e di se ku. Nga kjo thashethemnajë u frymëzua vite më parë edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, i cili shkroi librin “Spiritus”. Një histori të ngjashme dëgjoi në vigjilje të demokracisë dhe shkrimtari Xhons, libri i të cilit vjen nën përkthimin e Jonuz Kolës. “Edhe pse jam nga ato anë, madje gjatë asaj periudhe isha mësues i gjuhës angleze në shkollën e mesme në Kollovoz, në Topojan dhe në fshatrat përreth, kurrë s’kishim dëgjuar për ndonjë sozie të diktatorit. Aq më pak që të ishte nga një fshat i humbur si Topojani. Aty takuam disa burra të vjetër të fshatit... Disa prej tyre na treguan se, diku nga mesi i viteve ’60, në fshatin e tyre ka qenë një ndihmësmjek që u transferua në Tiranë”, thot në parathënien e librit përkthyesi Kola, i cili pak vite më vonë shoqëroi në Topojan një shkrimtar me origjinë austriake. Në këtë vizitë ata takuan të ëmën e ndihmësmjekut, e cila u tregoi se si andej nga mesi i viteve ’60, i biri ishte transferuar urgjentisht në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Vetëm dy vjet më vonë, punonjës të Sigurimit e shoqëruan në Tiranë, pasi i biri ishte i sëmurë. “I qëndrova plot 41 ditë tek koka. Ai nuk fliste. Vinin shumë njerëz me kostume e kollare, që nuk i njihja. Më këshillonin të mos largohesha asnjë çast. Pas 40 ditësh djali vdiq”, u kishte treguar ajo. Asnjë ceremoni mortore nuk u bë për të birin dhe kur u varros as atë dhe as të renë nuk i morën në varrim. Ajo nuk e mori vesh kurrë se ku u varros i biri. Nga kjo histori, në vitin 1991, ka marrë shkas edhe Xhons, i cili shkoi deri në fshatin e humbur Topojan të Kukësit. Sigurisht Petar Shapallo, është një krijim i imagjinatës se Xhonsit, por përmes tij ai zbulon mendësinë e regjimit dhe shpërbërjen e tij. Gjatë rrugës për tek sozia, ai na tregon për Shqipërinë e fund diktaturës. Vendin e rrënuar dhe të braktisur, hapjen e ambasadave, arratisjen e frikshme përtej detit, urinë e bukës, grevat e studentëve, rrëzimin e monumentit të diktatorit, pakënaqësitë e punëtorëve... Dhe nëpër të lëvizin personazhe të vërtetë, të njohur nga të gjithë. Është aty edhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. E transferuar tashmë nga vila e Bllokut, ajo kishte dëshirë të fliste për kohët e shkuara, për prishjet e marrëdhënieve me Kinën, Bashkimin Sovjetik dhe për “tradhtinë e perëndimit”... Por del edhe i biri Iliri, që do ta ndjekë në një pjesë të mirë të librit. Para, gjatë dhe pas arrestimit të nënës së tij. Aty-këtu dalin edhe ish-anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, si Muho Asllani, apo Lenka Çuko, e cila në libër etiketohet si “një grua me fytyrë prej idioteje dhe sy të nxirosur”. Njëri pas tjetrit rivijnë vende të njohura, ashtu si ishin gati 20 vjet më parë. Që nga sheshi “Skënderbej”, hotel “Dajti”, zona e Bllokut, e sapohapur dhe ende e ruajtur nga ushtarët e rinj, që nuk dinin se cili ishte misioni i tyre, bulevardi, parku, për të dalë jashtë Tirane e për të udhëtuar drejt rrugëve gjarpërushe gjithë gropa, që rrethoheshin nga fëmijë që prisnin ndonjë çamçakëz nga të huajt. Në këtë rrugëtim historik, me imagjinatën e tij Lloid Xhons e gjeti sozinë. Burri i mjerë vdiq gjatë periudhës së qëndrimit të shkrimtarit në Shqipëri, ndërsa Agjencia Telegrafike e Lajmeve Shqiptare njoftonte hapjen varrit të Enver Hoxhës, nxjerrjen e eshtrave nga Varrezat e Dëshmorëve dhe varrosja në varrezat e përbashkëta në Sharrë.