E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten me disa pikë bursat evropiane

Stoqet evropiane u rritën, teksa fitimet nga Vodafone Group dhe British Land i lehtësuan shqetësimet se masat për kontrollin e krizës së borxhit të rajonit do të ulin rritjen ekonomike. Ndërkohë, parablerjet amerikane u rritën, ndërkohë që aksionet aziatike ranë

në tregje. Vodafone Group u rrit 1,4 për qind, pasi kompania më e madhe telefonike mobile në botë shpalli objektivin për një rritje të dividentit për tre vitet e ardhshme me jo më pak se 7 për qind. Trusti i dytë më i madh britanik i investimeve në pasuri të paluajtshme, British Land, fitoi 3 për qind pasi raportoi fitimet e para vjetore në dy vjet kohë. Indeksi pan-europian FTSEurofirst 300 i aksioneve kryesore u rrit sot 0,84 për qind, në kuotën 1022 pikë, indeksi bankar Stoxx Europe 600 u rrit 1,1 përqind në kuotën 250,93 pikë në Londër, fitimi i parë ky për këtë tregues në tre ditë. Sidoqoftë, ky indeks mbetet 7,8 për qind më poshtë majës së prekur këtë vit më 15 prill, prej shqetësimeve se kriza e borxhit të Greqisë do të përhapet. Treguesi u rrit 4,8 për qind javën e kaluar, pasi Bashkimi Evropian ra dakord të ofrojë një asistencë në shumën e 750 miliard eurove, në përpjekje për të frenuar dobësimin e monedhës së përbashkët. Parablerjet e indeksit S&P 500 u rritën 0,4 për qind, ndërsa indeksi MSCI i Azi-Paqësorit ra 0,3 për qind, duke i zgjeruar humbjet për këtë vit në nivelin më të lartë prej 9,9 për qind.

SHBA-Kinë, tensione për ligjin e novacionit
Sekretari Amerikan i Tregtisë, Gary Locke, kërkoi nga Kina pezullimin e ligjit që pengon kompanitë e huaja të marrin pjesë në kontratat për energjinë e pastër. Sekretari i Tregtisë tha se ligji për Politikën Vendore të Inovacionit, pavarësisht synimeve pengon në pjesëmarrjen e firmave të huaja, në zhvillimin e sektorit të energjisë së gjelbër në Kinë dhe bëhet fjalë për kontrata që prekin disa dhjetëra miliarda dollarë në vit. Sekretari Locke, është në krye të një delegacioni me 24 kompani amerikane të energjisë së pastër. Ndërkohë kompanitë amerikane janë të shqetësuara se projektet shtetërore të energjisë së pastër, i japin tenderuesve të përzgjedhin kompani dhe produkte të prodhuara në Kinë. Paralajmërimi i Sekretarit të Tregtisë, bëhet një javë para takimit vjetor midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për dialogun bilateral strategjik dhe ekonomik. Sekretari i Tregtisë kërkoi nga Pekini edhe miratimin e kornizës ligjore që garanton hyrjen e investimeve të huaja në Kinë.

Statistikat financiare në dorë të tregjeve
Qeveria e re e koalicionit në Britani do të paraqesë javën e ardhshme planin për reduktimin e deficitit, me 6 miliardë paund. Ministri i ri i Financave, George Osborne, po krijon një skemë fiskale watchdog për të garantuar që qeveria do të arrijë të reduktojë deficitin. Osborne tha se shumica e kursimeve të vitit 2010 do të përdoren për të reduktuar borxhin. Deficiti britanik është pothuajse sa 12% e PBB dhe qeveria e re argumenton se ulja e deficitit, është prioriteti i parë për të shmangur një krizë të dytë ekonomike. Greqia është tregues i qartë se çfarë ndodh kur ka mungesë të vullnetit politik për të vepruar në mënyrë të vendosur dhe të shpejtë, tha Osborne. Plani për reduktimin e deficitit parashikon krijimin e Zyrës së Pavarur për Përgjegjshmërinë e Buxhetit, që do të drejtohet nga ish anëtari i Bankës Qendrore të Anglisë, Alan Budd dhe do të ketë si detyrë publikimin e parashikimeve fiskale dhe të rekomandimeve.

Last Updated on E Marte, 18 Maj 2010 19:02

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›