Kredia e Rrëshen-Kalimash, merret garanci nga BSH
Ministria e Financave ka marrë garanci nga Banka e Shqipërisë se sistemi bankar në vend është i aftë të japë kredi për financimin e Rrëshen-Kalimash. Financimi i këtij aksi, rreth 60 kilometra i gjatë, llogaritet në rreth 30 miliardë lekë, shifër rekord për sa i takon infrastrukturës rrugore. Kjo shumë do të përdoret për pjesën e parë të vitit 2009, pasi në qershor është caktuar në kontratë përfundimi i punimeve. Fakti që qeveria nuk e ka gjetur ende burimin për financimin e rrugës, në një kohë kur Kuvendi po diskuton buxhetin 2009, ka vënë në lëvizje ekspertët e Ministrisë së Financave. Sipas tyre, do të përdoren të gjitha variantet e mundshme për të siguruar kredinë, përfshi dhe burimet e brendshme. Drejtoresha për Buxhetin në Ministrinë e Financave tha dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, se paratë për ndërtimin e rrugës mund të gjenden nga bankat që operojnë në tregun vendas, duke ndjekur të njëjtin model të një viti më parë, kur dy banka greke dhanë rreth 230 milionë euro kredi tregtare. "Kemi folur edhe me Bankën e Shqipërisë, e cila ka dhënë garanci se bankat e kanë mundësinë për të dhënë kredi deri në 30 miliardë lekë (afro 350 milionë dollarë)", tha përfaqësuesja e ministrisë dje në komision. Mjet tjetër burimi do të jetë hedhja në treg e eurobondit, por fakti i përfshirjes nga kriza i disa institucioneve financiare në botë e ka zbehur disi këtë variant. I gjithë buxheti 2009 parashikon një nivel huaje prej 51 miliardë lekësh, ku vetëm një pjesë e vogël do të financohet nga burimet e brendshme. Një pjesë e kontratave janë lidhur që në 2008-ën, ndërsa institucionet financiare që do të japin kredi për 2009-ën, do të vijojnë të jenë BB, BERZH, BEI, Koperacioni Italian, etj. Përveç mungesës së burimit të financimit, qeveria "Berisha" mund të hasë në një problem tjetër, lidhur me aspektin makro. Fakti se për gjashtë muajt e parë të vitit do të hidhen në treg afro 30 miliardë lekë vetëm për Rrëshen-Kalimashin, pa përmendur këtu financimet e tjera, të domosdoshme edhe nga vetë situata zgjedhore, paraqet një situatë rreziku për sa i takon stabilizimit të çmimeve. Deri tani, FMN nuk është shprehur kundër projektit të Rrëshen-Kalimashit, por ka kërkuar më shumë kujdes te financimet. Aksi rrugor, pjesë e autostradës Durrës-Kukës, ka marrë nga buxheti i shtetit deri tani afro 45 miliardë lekë.