Henri: Ronaldo nuk mund të krahasohet me Mesin
Tierri Henri, sulmuesi i Barcelonës, pretendon se Kristiano Ronaldo nuk e meriton të fitojë "Topin e Artë" të këtij viti dhe përkrah shokun e tij të skuadrës, Lionel Mesin. Francezi mendon se talenti argjentinas është lojtari më i mirë në botë dhe deklarata e tij bëhet kur mungojnë vetëm tre javë nga shpallja e fituesit të trofeut prestigjioz. Ronaldo dhe Mesi cilësohen si dy kandidatët kryesorë për çmimin, që ndryshe njihet si "Lojtari më i Mirë Evropian i Vitit". Në garë janë edhe Iker Kasiljas, Ksavi dhe Fernando Torres, megjithatë fituesi pritet të jetë njëri ndërmjet yllit të Mançesterit dhe atij të Barcelonës. Ndërkohë që Ronaldo ka deklaruar publikisht se e meriton "Topin e Artë", për Mesin fitues nga lista e 30 kandidatëve duhet të jetë Ksavi ("Lojtari më i Mirë" i Euro 2008) ose Serxho Aguero. Megjithatë, Henri ka dalë hapur në mbështetje të argjentinasit 21-vjeçar, si për trofeun kontinental, ashtu edhe për atë botëror. Ish-kapiteni i Arsenalit, që në vitin 2006 u klasifikua i treti pas italianëve Kanavaro dhe Bufon, tha: "Mesi është më i miri. Gjërat që ai bën në fushë janë të jashtëzakonshme. Ai është i shkëlqyer. Pasi pashë sfidën Arsenal-Mançester Junajted e them me bindje se Ronaldo dhe Mesi qëndrojnë në dy nivele të ndryshme. Ata as që mund të krahasohen. Mesi e meriton të shpallet fitues i ‘Topit të Artë‘ për këtë vit".