Hartat që eliminojnë mbivendosjen e pronave, ndërtimet dhe shtesat pa leje
Rregullat për ruajtjen e të dhënave nga harta hartografike dixhitale. Produkti fotogrametik, të dhëna të pamanipulueshme me territorin
Erald Kapri
Mbivendosja e pronave, ndërtimet pa leje, shtesat pa leje, regjistrimet e paligjshme të pasurisë etj., do të jenë vështirë të realizohen, pavarësisht shmangies së zbatimit të ligjit. Qeveria miratoi ditën e djeshme një vendim të veçantë mbi administrimin e informacionit hartografik të përfituar nga fotografimi ajror dixhital i territorit të Shqipërisë. Agjencia e Legalizimeve ka fotografuar vendin dhe territorin në çdo skaj të tij në mënyrë dixhitale dhe kjo do të thotë një informacion i rrallë. Pikërisht ky informacion do të përdoret për shumë qëllime. Qeveria miratoi ditën e djeshme një projektvendim që përcakton administrimin e këtij informacioni të rrallë që është krijuar nga fotografimi ajror dixhital i territorit. Çdo institucion do t’i referohet kësaj harte si unike dhe të vetme, çka do të thotë një standard i vetëm në fushën e territorit. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të regjistrojnë një pasuri pa parë këtë hartë, ashtu si nuk do të legalizohet një shtëpi, ashtu siç nuk do të miratohet ndonjë shtesë ndërtimi pa leje, pasi harta dixhitale nuk mund të korruptohet si ndonjë burokrat. Informacioni mbi territorin do të jetë në një formë të vetme, çka tashmë do të ndalojë mundësinë teknikë që të abuzohet me territorin në çdo formë.
Projektvendimi i qeverisë
Pika e parë e projektvendimit përcakton që institucionet shtetërore të ruajnë, administrojnë dhe të shpërndajnë informacionin hartografik si dhe të mbajnë përgjegjësinë mbi detyrimet vetëm kur i referohen kësaj harte. Ky produkt nga kjo hartë përbën bazën zyrtare të informacionit hartografik dhe do të shërbejë për funksionimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, funksionimin e sistemit të adresave, funksionimin e sistemit të regjistrimit të popullsisë, kryerjen e studimeve urbane në të gjithë vendin, zbatimin e projekteve të ndryshme si dhe për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Kopjet origjinale të produktit fotogrametrik do të depozitohen në Agjencinë e Legalizimeve si dhe në Arkivën shtetërore të qeverisë. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit është autoriteti përgjegjës për dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të produktit fotogrametrik në favor të çdo subjekti të interesuar, publik ose privat. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij projektvendimi, Arkivi Qendror do të paraqesë për miratim plan-veprimin për plotësimin me burime njerëzore dhe financiare për ofrimin e këtyre shërbimeve.
Institucionet shtetërore nuk mund të kryejnë procedura prokurimi me fonde publike apo të donatorëve për krijimin e produkteve hartografike të një standardi më të ulët se produkti fotogrametrik, i cili është përfituar nga fotografimi ajror dhe dixhital që do të bëjë ALUIZNI.
Përfitimet
Harta dixhitale, krahas krijimit të një standardi me përdorimin dhe menaxhimin e territorit, do të mundësojë një informacion të veçantë për çdo subjekt privat, i cili kërkon të investojë në vend. “Harta do të bëhet disponibël tani për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore dhe ministritë e linjës. Një kopje e saj t'i dhurohet dhe Google, duke e konsideruar si një ndihmë të madhe dhe për investitorët e huaj. Natyrisht, kopjet origjinale mbahen në zyra të caktuara, por dhe dorëzimi për përdorimin maksimal të gjerë të saj mendoj se vetëm i shërben vendit”, - tha Berisha. Duke e parë në këtë kontekst, Ministria e Transportit ka parë të domosdoshme krijimin e këtyre lehtësirave me objekt vendosjen e disa rregullave të përgjithshme për ruajtjen dhe administrimin e informacionit fotogrametrik të përfituar me qëllim përcaktimin e saktë të kompetencave, përgjegjësive dhe juridiksionit që instancave të përfshira në këtë proces si dhe rregullimin e marrëdhënieve me personat e tretë. Në këtë kuadër është sugjeruar ngritja e një agjencie shtetërore me përgjegjësi dhe detyrime konkrete në operimin e politikave për zhvillimin e sistemit shtetëror të gjeoinformacionit, kontrollimin mbi territorin si dhe hartografimin për qëllime civile.
Rregullat e reja, çdo ndërtim minimal duhet të ketë një mbikëqyrës
Qeveria ka miratuar ditën e djeshme edhe rregullat e reja në lidhje me mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit. Sipas ndryshimeve, për të gjitha llojet e objekteve investitori është i detyruar të kontraktojë një mbikëqyrës, i cili është i pajisur me licencë përkatëse. Ndërkohë për investimet me fondet publike mbikëqyrësi përzgjidhet në përputhje me ligjin e prokurimeve publike nga autoriteti kontraktor sipas procedurës për shërbimet konsulore për shërbimin mbi kufirin e 400 mijë lekëve. Ndërkohë, ky mbikëqyrës mund të kontraktohet drejtpërsëdrejti nga investitori për shërbime nën kufirin e 400 mijë lekëve. Palët hartojnë një dokumentacion të njëjtë me atë të procedurës së përzgjedhjes pa shpallje të njoftimit. Investitori kryen një përzgjedhje paraprake duke përjashtuar personat fizikë të licencuar që nuk kanë shfaqur në mbikëqyrjen e mëparshme sipas listës së vënë në dispozicion nga ministria që kryen licencimin ose nëpërmjet procedurave të parakualifikimit. Ndërkohë, edhe mbikëqyrësi i punimeve duhet që të plotësojë disa kritere si nuk mund të ketë kryer apo të kryejë asnjë funksion si detyrë teknike apo administrative që ka lidhje me procesin e prokurimit të punimeve që do të mbikëqyren. Njëkohësisht nuk duhet të jenë pjesë e organizmave që kanë funksionin e kontrollit për punimet që mbikëqyren, nuk mund të përzgjidhen pa kaluar tre vjet nga funksionet administrative që kanë pasur në njësitë vendore, ku zbatohet objekti si dhe nuk mund të përzgjidhet në rast se ka lidhje interesi apo familjar me zbatuesin e projektit.
13 Mars 2008