Korrupsioni, hetim 2 mjekëve
Etleva Delia
Gjykata vendos masë sigurimi për një kirurg dhe një gjinekolog në maternitetin "Mbre-tëresha Geraldinë", të cilët kanë provuar të marrin ryshfet nga prindërit e një fëmije të lindur në spital. Janaq Kasapi, kirurg dhe Arti Qosja, reanimator, duhet të depozitojnë në gjykatë 500 mijë lekë të reja secili në formën e garancisë pasurore. Kjo është masa e sigurisë e vendosur nga Gjykata e Tiranës për akuzën e korrupsionit ndaj dy mjekëve. Prokuroria kishte kërkuar "arrest me burg" për dy mjekët, por gjykata ka vendosur masën e garancisë pasurore. Një vendim i tillë duket të jetë ndikuar prej faktit se në aktet e prokurorisë, përmendej një rast i vetëm i dyshuar kur mjekët kanë marrë ryshfet nga prindërit e një fëmije të lindur dy muaj më parë në maternitet. Hetimi disamujor i prokurorisë nuk gjeti asnjë rast tjetër kur mjekët e dyshuar të kishin kërkuar, marrë ose pranuar para nga prindërit e fëmijëve. Megjithatë, rasti i vetëm, ai për të cilin akuzohen mjekët, është konsideruar flagrant për shumën, e cila ishte plot 500 mijë lekë të reja.
Hetimi
Dy muaj më parë, Prokuroria e Tiranës filloi hetimet nëpërmjet Zyrës Task-Force Antikorrupsion ndaj dy mjekëve të dyshuar të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në kryeqytet. Përgjatë dy muajve mjekët u mbajtën në vëzhgim, ndërkohë që u provua një rast i marrjes së një shume ryshfeti prej 500 mijë lekësh nga dy mjekët. Prokuroria menjëherë vendosi t'i drejtohet gjykatës me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit si dhe me një urdhër për pezullimin nga detyra të dy mjekëve, kirurgut Janaq Kasapi dhe reanimatorit Arti Qosja. Gjykata i rrëzoi të dy kërkesat, duke dhënë masën e sigurisë "garanci pasurore" në shumën 500 mijë lekë dhe duke mos pranuar pezullimin e mjekëve nga detyra. Pas vendimit të gjykatës, policia gjyqësore i shoqëroi dje gjatë aksionit "My Baby", të dy mjekët nga materniteti në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t'u njoftuar masën e sigurisë, dhënë nga togat e zeza.
Korrupsioni
Dy mjekët në hetim akuzohen se kanë marrë 500 mijë lekë nga prindërit e një fëmije të lindur dy muaj më parë në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare, paratë janë marrë pas operacionit të kryer nga mjekët tek nëna e fëmijës. Ndërkohë që rrethanat e këtij rasti janë të paqarta, burimet nga hetimi thonë se ndryshe nga shumë raste të tjera kur mjekët e dyshuar kishin precedentë të përsëritur të pranimit të parave nga pacientët, dy mjekët e maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" kanë marrë para në një rast të vetëm, edhe pse në një shumë të konsiderueshme financiare.
TE HETUAR
1. Janaq Kasapi, 54 vjeç, mjek kirurg, përgjegjës i grupit të mjekëve në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", Tiranë
2. Arti Qosja, 38 vjeç, mjek reanimator në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", Tiranë