Tre shqiptarë kapen me 51 kg drogë
BARI - Tre shtetas shqiptarë u arrestuan mëngjesin e djeshëm në Itali, si pjesë e një grupi italo-shqiptar të trafikut të drogës, i cili mbahej në vëzhgim prej muajsh nga policia. Emrat e tre shqiptarëve nuk janë bërë publikë nga mediat italiane, por ata janë kapur me 51 kilogramë lëndë narkotike, një pjesë e dyshuar kokainë dhe pjesa tjetër heroinë. Urdhër-arrestet për 3 shqiptarët janë ekzekutuar dje në mëngjes në Bari të Italisë, pasi ishin mbajtur në hetim si pjesë e një grupi të fuqishëm të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Pas arrestimit të tre shqiptarëve, policia ka ushtruar kontrolle edhe në Milano dhe Romë, pasi kishin informacione se bazat e prodhimit, përzierjes e më pas shpërndarjes së lëndës narkotike, ndodheshin në ato qytete. Gjatë kontrolleve policia ka zbuluar 2 laboratorë droge me aparaturat e posaçme, që përdoreshin për përzierjen e lëndës narkotike, por në disa raste edhe prodhimin, me kimikate dhe produkte të ndryshme farmaceutike. Sipas mediave italiane, operacioni antidrogë vazhdon deri në zbulimin e të gjithë grupit të përfshirë në këtë trafik.