Ruçi: Rregullorja, me konsensus e asistencë nga ndërkombëtarët
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi përmes një letre, i kërkon kryeparlamentares të nisë një debat edhe me prezencën e ndërkombëtarëve, për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Sipas tij, Rregullorja e Kuvendit është shkelur në mënyrë sistematike. "Në të tilla kushte, kur Rregullorja e Kuvendit është shkelur në mënyrë flagrante dhe kur një propozim i tillë është thellësisht i debatueshëm për qëllimet që synon, ne ju kërkojmë që çështja t'i nënshtrohet një debati më të gjerë profesional, përfshirë edhe asistencën e partnerëve ndërkombëtarë që veprojnë në vendin tonë. Mbi të gjitha, propozimi të ndjekë procedurën normale që parashikon Rregullorja për amendimet ligjore, duke siguruar një konsensus jetik, përcaktues për natyrën e këtij akti", shprehet Ruçi në letrën e tij. Sipas tij, në ngritjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet është bërë pa marrë pëlqimin e opozitës. "Në kundërshtim të plotë me nenin 13 të Rregullores, është ngritur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pa pëlqimin apo pa marrë më parë propozimet nga Grupi Parlamentar i PS, në lidhje më anëtarët e këtij këshilli. Emërimi nga Kryetarja e Kuvendit e anëtarëve të opozitës, pa pyetur më parë ata vetë, grupin politik të cilit i përkasin dhe mbi të gjitha në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë lloj dijenie, dhunon parimet dhe frymën e Rregullores së Kuvendit", shprehet Ruçi. Sipas tij, dhe përbërja e këshillit është shkelur pasi deputeti Shpëtim Idrizi është përfshirë si deputet i PS.