E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e PS-së bëjnë thirrje për reagim nga Berisha

Kompromisi

Drejtues të Partisë Socialiste kanë bërë thirrje dje, që qeveria dhe shumica parlamentare të marrë në konsideratë propozimet e bëra nga komuniteti ndërkombëtar. Hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe vënia në lëvizje e Komisionit të Venecias është marrë nga selia rozë si një variant zgjidhjeje për të cilën ajo po orienton edhe një fushatë presioni ndaj Kryeministrit, që ende refuzon të pranojë. Kështu, deputeti Bashkim Fino ka kërkuar reagim nga qeveria dhe Kryeministri, duke mos harruar të bëjë të ditur se në të kundërt protestat do të vijojnë. Qëndrimi i tij pasqyron një iniciativë të re të opozitës, e cila rihyn në debatin politik me një ofertë konkrete, të cilën ajo kërkon që të pranohet edhe nga kundërshtari. Më e ashpër ka qenë deputetja Arta Dade, e cila duke gjykuar mbi situatën e krijuar, ka ripërsëritur ftesën për dialog, duke mos kursyer disa konsiderata për Kryeministrin. “Zgjidhja mbetet në dorë të Kryeministrit Berisha, i cili asnjëherë nuk i bën gjërat në momentin e duhur dhe kjo tregon se ai s'ka qenë asnjëherë burrë shteti... Opozita ka shprehur gatishmërinë për t'i dhënë fund kësaj situate që ka sjellë dhimbje fizike te grevistët prej 9 muajsh", është shprehur Dade për mediat. Qëndrimet e dy deputetëve socialistë vijnë menjëherë pas protestës së madhe të opozitës, e cila rikonfirmoi këmbënguljen e saj për transparencën e zgjedhjeve. Po kështu, oferta për kompromis përkon me ditën e 15-të të grevës së urisë që ka mbërthyer vëmendjen e opinionit publik edhe për shkak të vendosjes së saj para selisë së qeverisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›