E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së braktisin Komisionin e Ligjeve “në mbështetje” të grevës



Deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin Parlamentar të Ligjeve kanë braktisur mbledhjen në shenjë solidariteti me grevën e 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Megjithëse PS është shprehur kundër propozimeve të LSI-së dhe PDK-së për Kodin Zgjedhor, katër deputetë të PS-së, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, konkretisht Pandeli Majko, Besnik Dervishi, Elmaz Sherifi dhe Bashkim Fino, kanë braktisur mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. Ky reagim ka ardhur pas refuzimit të kërkesës së tyre për të shtyrë punimet e komisionit për shkak se mungonte relatori i projektligjit Spartak Braho, i cili është futur në grevë urie. “Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm projektligjin që do të diskutohet sot, e vlerësojmë dhe praninë e ministrit, por për shkak se mungon relatori dhe ne kemi çështje që duam t’i sqarojmë me relatorin, që është zoti Braho, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për ta shtyrë mbledhjen”, - është shprehur deputeti i PS-së, Majko. Por kryetari i Komisionit, Rusmali, bëri të ditur se kishte kontaktuar në telefon me deputetin Braho dhe ky i fundit e kishte autorizuar Rusmalin që të lexonte relacionin e përgatitur prej tij. Por kjo u kundërshtua nga deputeti tjetër i PS-së, Besnik Dervishi. Ai u shpreh se nuk do të ishte e drejtë që të vazhdojë puna e Komisionit sikur nuk ka ndodhur gjë, ndërkohë që 11 deputetë janë në grevë urie. “Nuk e kuptoj përpjekjen e maxhorancës për të nxituar dhe për të kaluar me shpejtësi projektligje që janë të rëndësishme dhe që kërkojnë miratimin me konsensus. Nuk më duket e moralshme të hiqemi sikur s’po ndodh gjë. Mbledhjen mund ta zhvillojmë një ditë tjetër kur të jetë i pranishëm dhe relatori dhe kur ne të marrim shpjegimet e ekspertëve tanë”, - është shprehur Dervishi. Por kryetari i Komisionit, Rusmali, e ka rrëzuar kërkesën e PS-së duke e cilësuar atë të pavend. Sipas tij, nuk mund të paralizohet puna e Komisionit për shkak të grevës së papritur të LSI-së. Katër anëtarët socialistë të Komisionit janë larguar nga mbledhja. Më pas mbledhja ka vazhduar me raportimin e ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj për ligjin për gjykatën administrative. Gjatë fjalës së tij, Alibeaj e ka konsideruar nismën ligjore të qeverisë si nevojë për ta sjellë organizimin e sistemit gjyqësor në standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Ai tha se projekti në fjalë krijon lehtësi maksimale për çdo individ ose biznes që pretendon se është cenuar nga praktikat e administratës. “Drafti përcakton përfundimisht që zvarritjet e gjykimeve të mos ndodhin më. Ligji parashikon që tashmë ato të përfundojnë në një kohë shumë të shkurtër, me afate dymujore në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe njëmujore në Gjykatën e Apelit. Gjithashtu, projektligji bën të mundur dhe vendosjen e barazisë së palëve në proces, mes individit dhe shtetit”, - është shprehur Alibeaj.
E. Ballhysa

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›