E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: “Greva e urisë, një protestë demokratike”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka cilësuar protestë demokratike grevën e urisë të shpallur nga deputetët e LSI-së dhe të PDK-së për papajtueshmërinë e tyre për mënyrën dhe përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor, të hartuar nga PS-ja dhe PD-ja. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Topi fajësoi mungesën e kulturës së dialogut politik midis partive politike në procesin e reformimit të Kodit Zgjedhor. Sipas Topit, një gjë e tillë i ka shtyrë deputetët që të futen në një grevë urie, e cila gjithsesi, konsiderohet një protestë demokratike. “Unë mendoj që çështja e zgjedhjeve në Shqipëri është një çështje dominante, është një çështje prioritare, që është përmendur me një vëmendje të veçantë në Raport-progresin, sepse jemi në prag të zgjedhjeve. Dhe jemi në prag të nevojës për të reformuar Kodin Zgjedhor, por edhe infrastrukturën zgjedhore. Por, në Progres-raport thuhet që mungon kultura e dialogut politik midis partive politike, gjë që po vërehet edhe në momentet e reformimit të Kodit Zgjedhor, që ka imponuar që edhe një pjesë e deputetëve t’i mbrojnë interesat e tyre në këtë formë të protestës, që po konsiderohet një protestë demokratike, por është në të drejtën, në vizionin, në perceptimin dhe në pozicionin e çdo partie politike dhe çdo deputeti që do të protestojë pikërisht për arritjen e standardit që ka të bëjë me marrjen në konsideratë edhe të interesave të tyre”, - tha Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›