Pak: Çështjet teknike nuk zgjidhen me greva urie
Çështjet teknike, si ajo e Kodit të ri Zgjedhor, nuk zgjidhen me greva urie. Ky është konstatimi i kryetares së delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Doris Pak, teksa vlerësoi dje se situata politike në lidhje me Kodin Zgjedhor nuk zgjidhet me vendime ekstreme si ajo e grevës së urisë. Sipas znj. Pak, ajo që po bën mazhoranca qeverisëse me partinë kryesore të opozitës, nuk është ilegale dhe se marrëveshja mes tyre është në vijimësi të sistemit proporcional. Duke vlerësuar ligjin elektoral, Doris Pak vë në dukje se greva aktuale tregon nivel të lartë të mosbesimit të partive politike dhe duan të kontestojnë zgjedhjet, duke i shkaktuar një dëm të madh Shqipërisë e jo dy partive më të mëdha. “Kam dëgjuar për të, por dua të them se një grevë urie është një mënyrë reagimi që zgjidhet nga njerëz që vërtet janë duke vuajtur. Në fakt, është një lojë politike për interesa personale, të cilat i kuptoj, por nuk mendoj se është mënyra e duhur për të trajtuar një çështje të tillë. Mendoj se kjo dëshmon për nivelin e lartë të mosbesimit mes partive politike”, - tha znj. Pak. Europarlamentarja Doris Pak shprehu shqetësimin se tashmë deputetët janë në grevë urie e po u tregojnë të gjithëve se do t'i kontestojnë zgjedhjet, duke i bërë një dëm të madh Shqipërisë, jo Partisë Demokratike e Partisë Socialiste, por shqiptarëve. “Pasi, - shtoi ajo, - Shqipëria për të parën herë bëri të mundur që të ketë një ligj elektoral, i cili është i mirë dhe që u mbështet nga një shumicë e konsiderueshme parlamentare”. “Shqiptarët, - përmendi Doris Pak, - do të kenë karta identiteti së paku, do të kenë lista funksionale votuesish, pra për të parën herë vihet re se gjërat do të rregullohen në këtë vend, ndërkohë që disa parti të vogla shkaktojnë probleme të tilla pasi janë të pakënaqura me bisedimet mes dy partive të mëdha politike. Unë, - shtoi Pak, - e kuptoj që ata nuk mund të pëlqejnë këto negociata, por të përdorësh grevën e urisë për një çështje të tillë kaq teknike, mendoj se është nervozizëm i tepërt”. Por ajo vë në dukje se nuk i duket shumë formë e zgjuar, nuk tregohet shumë pjekuri kur përdoret grevë urie për një çështje të tillë. Gjithsesi, kryeparlamentarja për Ballkanin mendon se nuk është arsye për të kontestuar zgjedhjet e ardhshme, “sepse, - shton ajo, - të gjithë, edhe unë këtu presim një proces të mirë zgjedhor”. Znj. Pak risjell në vëmendjen e politikës faktin se personalisht ka qenë gjithnjë e pranishme në Shqipëri gjatë zgjedhjeve dhe ka kritikuar përherë pavarësisht se kush ka qenë në pushtet. “Kam kritikuar gjithmonë, sepse ishte e pamundur që të arrihej një proces i mirë zgjedhor dhe tani që vendi është në rrugën e duhur për ta arritur, për një gjë kaq të papërfillshme të bësh grevë urie, duke vënë pothuajse në rrezik edhe atë raport të mirë për Shqipërinë, progres-raportin që u paraqit javën e kaluar. Nëse do të isha anëtare e një partie të vogël shqiptare, nuk do të veproja siç po vepron z. Meta, z. Ndoka edhe të tjerë”, - u shpreh znj. Doris Pak. Por ajo pohon qartë se nëse nuk kanë fakte, nuk mund të kontestojnë, procesi nuk mund të kontestohet mbi thashetheme. Pasi, sipas saj, në çdo qendër votimi do të kenë përfaqësuesin e tyre që do të vëzhgojë, sepse kjo është detyra gjatë misionit vëzhgues, që të tregojë shumë kujdes kur të vendosin firmën e tyre me qëllim që të vërejnë se çfarë është bërë. Në këtë mënyrë, argumenton Pak, nuk mund të ketë mundësi për të falsifikuar rezultatin. Ajo është e sigurt se asnjë prej anëtarëve të pozitës e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk do të dëshirojnë të falsifikojnë zgjedhjet, sepse të gjitha palët humbasin diçka. “Shqipëria humbet në imazh, në fund dhe fituesi humbet po ashtu. Nuk ka rëndësi nëse është socialist apo demokrat, ndaj mendoj se do të kujdesen që këto zgjedhje të mos falsifikohen e të mos manipulohen. Shpresoj se të gjithë vëzhguesit do të marrin seriozisht punën e tyre, me më tepër seriozitet se ç'e kanë marrë deri tani”, - deklaroi znj. Doris Pak.