E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS përfundojnë Kodi Zgjedhor, gati për votim

Jo më sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal, thjeshtëzim i administrimit, ndryshim të procedurave të numërimit të votave dhe eliminim të defekteve të vëna re në zgjedhjet e mëparshme. Këto janë rregullimet ligjore të Kodit të ri Elektoral që do të përdoret për zgjedhjet e pritshme të qershorit të vitit 2009. Drafti kaloi dje pa asnjë ndryshim nga komisioni i posaçëm kuvendor. Sipas bashkëkryetarëve të këtij komisioni, kodi i ri sjell risi në proceset zgjedhore si dhe rregullon edhe përbërjen e KQZ-së dhe KZZ-së, të cilat do të përbëhen nga 7 anëtarë. Njëri nga bashkëkryetarët, përfaqësuesi i PS-së, Fatmir Xhafaj, tha se ky kod ka të bëjë dhe me rregulla të reja për financimin e partive. Kodi i ri pritet të kalojë në votim javën tjetër. Pavarësisht vendimit për grevë urie të deputetëve të PDK-së dhe LSI-së si protestë ndaj formulës së zgjedhur nga të mëdhenjtë e politikës për disa prej neneve të kodit të ri, anëtarët e komisionit, përfaqësues të PS-së dhe PD-së, kaluan dje pa asnjë ndryshim draftin zgjedhor i cili do të kalojë javën e ardhshme për votim në Kuvend. Pas mbledhjes së djeshme të komisionit, z. Xhafaj sqaroi tri pikat kyçe të Kodit të ri Elektoral. “Së pari, sot nuk kemi më një sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal. Së dyti, ka të bëjë me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti, ka të bëjë me numërimin, i cili është një nga elementet më të rëndësishme”, - tha Xhafaj. Sipas tij, ky rregullim ligjor që është bërë, siguron një transparencë të gjerë. Xhafaj pohoi më tej se te financimi dhe media janë bërë thjeshtëzime shumë të rëndësishme që e bëjnë Kodin më të thjeshtë dhe më praktik. Xhafaj bëri gjithashtu të ditur se “ajo që është shumë e rëndësishme, është eliminimi i disa dukurive negative të shfaqura historikisht në proceset e mëparshme zgjedhore”. Një ditë përpara përfundimit të mandatit të tretë, komisioni, i cili prej muajsh punoi për kodin e ri, miratoi disa nene që lidhen me sanksionet në rast shkelje të kodit të ri, por dhe ndarja e rajoneve në zona. Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votohet me sistemin proporcional. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë nuk është më institucion kushtetues, do të përbëhet nga 7 anëtarë, sipas skemës: 2 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialiste, 1 nga partitë e vogla të majta, 1 nga partitë e vogla të djathta dhe një anëtar propozohet nga Parlamenti. Lidhur me menaxhimin e procesit zgjedhor, Komisionet Zonale Zgjedhore reduktohen nga 13 në 7 anëtarë, ndërkohë që ligji i ri që është në përgatitje e sipër nga qeveria që vendos rregullat e reja për financimin e partive. Në bazë të këtyre rregullave asnjë parti apo biznes që ka përfituar projekte nga fondet publike nuk do të lejohet të financojë partitë politike për zgjedhje. Por elementi më i rëndësishëm i kodit që lidhet me sistemin është përllogaritja e mandateve të deputetëve që një parti apo koalicion zgjedhor fitojnë në Kuvendin e tyre. Për këtë u ra dakord për dy formula: njëra quhet “D’Hont” dhe tjetra “Sant Lege”. Të gjitha këto ndryshime në Kodin Zgjedhor do t’i nënshtrohen votimit të deputetëve të kësaj legjislatura gjatë javës së ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›