Deputetët e PS-së me shall të zi në gojë para Kuvendit, OSBE: Të reflektojnë për bojkotin
Aristir Lumezi
Socialistët bojkotuan dje seancën parlamentare të Kuvendit. Bojkoti i seancës së djeshme erdhi në shenjë proteste ndaj penalizimit të deputetëve socialistë, Taulant Balla dhe Sajmir Tahiri, nga kryetarja e Parlamentit në Byronë Parlamentare. Me parullat “S´ka votë të lirë pa fjalë të lirë” të vendosura në hyrje të Kuvendit, deputetët socialistë këmbëngulën se janë të vendosur të bojkotojnë seancën deri në një vendim për tërheqjen e penalizimit për deputetët e tyre. Në orën 18:00 deputetët socialistë u rreshtuan para portës kryesore të godinës së Kuvendit, duke protestuar për vendimin e njëanshëm të kryetares së tij, duke e konsideruar një dënim kolektiv ndaj të gjithë grupit parlamentar. Deputetët kanë qëndruar për rreth gjysmë ore në mes të shiut, që në ato momente ishte i dendur dhe kanë akuzuar maxhorancën se po tenton me këto dënime t’i mbyllë gojën opozitës. Deputeti socialist, Bashkim Fino, akuzoi dje para Kuvendit kryeparlamentaren për dy standarde. “Pse Jozefina mban dy standarde, kur ne jemi korrektë në Parlament dhe nga ana tjetër shokët tani i përjashton 15 ditë, na mbyll gojën, ndërkohë që Kryeministrin e lë të flasë si të dojë në Parlament. Ky nuk është Parlament, ky është Parlamenti i Jozefinës dhe i Saliut”, u shpreh Fino. Deputeti Namik Dokle tha se “jemi mbledhur për të protestuar kundër dhunimit të fjalës së lirë në Parlament”, ndërsa nënvizoi se “opozita nuk do të lejojë që Qeveria të shkelë fjalën e lirë”. Kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi, duke mbyllur këtë protestë, tha se maxhoranca po dhunon fjalën e lirë.
“Kjo maxhorancë që vodhi votat e që nuk lejon të bëhet transparenca, që po deformon shtetin e së drejtës, më së fundi dhunoi opozitën, duke i mbyllur gojën. Ne e quajmë dënimin e kolegëve tanë një dënim politik, që i bëhet fjalës së lirë”, u shpreh Ruçi. Më pas ai u kërkoi deputetëve të opozitës të mbajnë një minutë heshtje për fjalën e lirë, duke mbyllur gojën me një shall të zi. “Opozita shqiptare nuk do tërhiqet në asnjë çast për votën e lirë, për fjalën e lirë dhe luftën për transparencë”, theksoi Ruçi. Deputetët socialistë bënë thirrje për bashkimin e të gjithëve në 30 prill në Tiranë në protestën e madhe të opozitës kundër Qeverisë.
Vendimi
Deputetët socialistë vendosën dje në mbledhjen e grupit parlamentar t’i rikthehen bojkotit në shenjë proteste ndaj dënimit të Ballës dhe Tahirit në seancën e kaluar, pasi akuzuan Kryeministrin për korrupsion. Gjatë mbledhjes deputetët kanë propozuar variante të ndryshme proteste, por që në fillim të saj kreu i grupit ka përcaktuar qartë mënyrën se si deputetët do të protestonin. Ruçi është shprehur se dënimi i dy deputetëve duhet parë si dënim kolektiv i zonjës Topalli. Ndërsa deputeti Sajmir Tahiri, mësohet të këtë kërkuar hyrjen në sallë dhe leximin aty të të njëjtit fjalim, me të cilin u penalizua edhe Taulant Balla. Ndërsa deputeti Erion Braçe ka kërkuar futjen me forcë në Ballës në Parlament, edhe pse kjo mund të krijonte ndonjë incident me oficerët e Gardës së Republikës. Për këtë Braçe i është referuar një precedenti të disa viteve më parë me ish-deputetin socialist Petro Koçi. Në fund deputetët kanë vendosur në unanimitet mbi propozimin e bërë nga kreu i grupit për formën e protestës.
Diskutimet në grup
Gramoz Ruçi: Sot duhet të mbajmë një qëndrim ndaj dënimit që u është bërë dy deputetëve tanë, duke e cilësuar këtë si dënim kolektiv që zonja Topalli na bën. Për këtë kërkoj të mos hyjmë në seancë dhe të protestojmë jashtë sallës. Unë i kam dërguar një letër zonjës Jozefinë që të anulojë vendimin e byrosë dhe të tërheqë dënimin e dy deputetëve. Nëse deri në orën 18:00 nuk reagon, ne do të qëndrojmë jashtë sallës.
Sajmir Tahiri: Të hyjmë në Kuvend dhe të përsërisim të gjithë deputetët fjalimin e Taulantit dhe po të dojë le të na pezullojë të gjithë grupin për të njëjtin motiv.
Namik Dokle: Të mos hyjmë në sallë, të qëndrojmë jashtë Parlamentit dhe ta bëjmë sa më mediatike protestën tonë për të drejtën e fjalës.
Fatmir Toçi: Ne duhet të futemi brenda dhe të bëjmë luftën tonë brenda në Parlament.
Bashkim Fino: Të qëndrojmë fort dhe t’i kujtojmë Saliut të gjitha ofendimet që ai ka artikuluar në sallën e Kuvendit, për të cilin nuk është marrë asnjë masë, përkundrazi, kryetarja ka qeshur.
Arben Malaj: Të futemi në seancë dhe të kërkojmë që Taulanti të marrë fjalën, sepse është e drejtë e tij që të dëgjohet në sallë.
Gramoz Ruçi: Ai s’mund të hyjë, sepse ka vendim nga Byroja Parlamentare.
Erion Braçe: Unë them se duhet ta fusim me forcë në sallë Taulantin. Vite më parë kemi një precedent me Petro Koçin kur ai u fut mes nesh dhe injoruam vendimin e Topallit.
Ditmir Bushati: Duhet të jemi brenda në sallë për të rivendosur të drejtën. Duke ndenjur jashtë nuk do të ketë asnjë efekt protesta. Më mirë të jemi brenda dhe të bllokojmë podiumin, duke mos lënë edhe maxhorancën të flasë.