E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me 1 plumb emigranti



PEQIN/ ALDO KOZARIA

Ekzekutohet me plumb në kokë emigranti i sapokthyer nga Italia. Ngjarja e rëndë që tronditi pasditen e djeshme qytetin e Peqinit i mori jetën 37-vjeçarit Artan Daja. Babai i tre fëmijëve u qëllua në banesën e vëllait të tij, pranë qendrës së qytetit. Autori sipas policisë është fqinji Sami Hasa, i cili tentoi të vetëvritej me plumb në zemër, por për shkak të ngarkesës emocionale dhe shpejtësisë për të vepruar, plumbi e ka kapur shkarazi në kraharor. Për pasojë, 40-vjeçari vetëm sa është plagosur. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 17:15, në katin e katërt të pallatit pranë Lagjes "Xhami". Viktima Daja është gjetur i pajetë në divanin e shtëpisë së të vëllait, ndërsa autori, në katin e parë në sheshin përpara pallatit ku është zhvilluar ngjarja. Dyshohet se mes Hasës, me profesion mësues dhe Dajës, i cili prej një muaji frekuentonte shpesh shtëpinë e të vëllait që jetonte në Itali ka ndodhur një grindje. Pas saj, autori ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, drejt emigrantit. Sami Hasa e ka lënë të mbuluar në gjak Dajën, në mes të shtëpisë së fqinjit, duke zbritur me armë në dorë për në oborrin e pallatit. Aty ka qëlluar edhe vetën me një plumb. Zhurma e armës ka tronditur banorët, të cilët kanë lajmëruar me shpejtësi policinë, e cila bllokoi me shpejtësi Hasën. Ai ishte i plagosur në ato momente, pasi plumbi i drejtuar për në zemër e kishte prekur në krah të saj. Nisur nga fakti se edhe Daja, i cili kishte humbur jetën, ishte qëlluar me të njëjtën armë që kishte në dorë Hasa, policia dyshon se autori është mësuesi 40-vjeçar. Ndonëse kanë nisur hetimet e para, kanë mbetur mister shkaqet që e shtynë Hasën drejt vrasjes së një personi dhe tentativës për të qëlluar veten. Që nga momenti i ngjarjes ai është mbajtur nën kujdesin mjekësor, në sallën e reanimacionit të Spitalit Kirurgjik në Elbasan, duke u ruajtur nga 4 policë. Për shkak të gjendjes së tij nuk është marrë në pyetje nga policia për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, që për pak shënoi 2 viktima. Nga ana e tij, grupi hetimor ka marrë në pyetje shumë familjarë, por pa mundur të arrijë në konkluzione. Viktima Daja mësohet se banonte disa pallate më larg vendit ku u gjet i vrarë. Pas kthimit nga Italia, sipas dëshmitarëve, ai shkonte shpesh në banesën e të vëllait emigrant, pikërisht në të njëjtin kat me shtëpinë e Sami Hasës. Policia dyshon dhe për shkaqe xhelozie që autori kishte ndaj viktimës, por që ende nuk ka prova për këtë pistë, duke mos përjashtuar edhe të tjera. Viktima ishte dënuar më parë për plagosje në qytetin e Peqinit, para se të largohej si emigrant në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›