Vëllai i Papandreut prezanton librin e Blushit në Athinë
alma mile
"Romani im mu duk më i bukur, pas prezantimit të z. Papandreu". Kështu është shprehur mbrëmë, gjatë promovimit në Greqi, të librit "Të jetosh në ishull", shkrimtari dhe politikani, Ben Blushi. Ndërsa libri ka kohë që është përkthyer në gjuhën greke, shkrimtari shqiptar zhvilloi dje një takim me lexues, shqiptarë e grekë në Qendrën për Letërsi dhe Publikime Arti, të botimeve "Kastaniotis" (Rr. Themistokleous 10) në Athinë. Ishte Nikos Papandreu, vëllai i Kryeministrit grek, që prezantoi librin e Blushit. Sipas Papandreut, "Të jetosh në ishull" është një libër me vlera të veçanta, si në aspektin shkencor, historik e pa dyshim letrar. Ai tha se libri reflekton edhe marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke qenë se historitë e këtyre dy popujve kanë qenë gjithnjë të ndërthurura. Teksa iu referua më së shumti pjesës së parë të romanit, Papandreu shprehu kënaqësinë që kishte ndjerë si lexues, por edhe shkrimtar, teksa shijonte jo vetëm stilin letrar të Blushit, por edhe trajtimin e veçantë që ai i ka bërë procesit të islamizimit të shqiptarëve. "Jemi mësuar tashmë me idenë se islamizimi ka ardhur në mënyrë të dhunshme, me shpatë e heshtë, por Blushi na sjell një variant tjetër. Në krye të librit, vetë Ibrahimi shkon në xhami dhe kërkon të kthehet në mysliman, pasi vendi i tij ishte nën sundimin e osmanëve dhe shumë shqiptarë të tjerë po përqafonin fenë e sunduesit. Jemi mësuar me stereotipe, ndërsa Blushi na sjell një variant tërësisht origjinal, mësohet të ketë thënë Papandreu. Duke shfrytëzuar rastin, përpara një salle të tejmbushur me njerëz, Papandreu tha se "Shqipëria nuk është ajo që shohim në ekranet e televizorit, por ajo që lexojmë në librat e Blushit". Të tjera vlerësime erdhën gjithashtu edhe nga drejtuesi i shtëpisë botuese "Kastanioti", i cili mësohet se ka shprehur dëshirën që të botojë edhe një tjetër vepër shumë të suksesshme të Blushit, me të cilën ka fituar edhe dy çmime letrare "Otello, Arapi i Vlorës". Pasi ndau kënaqësinë e të qenurit në Athinë, jo vetëm mes një komuniteti shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Greqi, Blushi iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve. Dhe nuk ishin vetëm shqiptarët, ata që ishin të interesuar për të mësuar mbi romanin, por edhe intelektualë grekë, që ishin të pranishëm në takim. Sipas gazetares Bardha Mançe, të pranishmit ishin kuriozë të dinin më shumë rreth procesit krijues të këtij romani, por edhe mbi krijimtarinë e më parshme. Kishte edhe nga ata që e pyetën shkrimtarin, nëse do t'i ndryshonte diçka romanit, nëse do t'i rikthehej sërish, por për Blushin, një vepër është si fëmija, që sido që të lindë, është gjithsesi më i miri dhe më i bukuri. "Veprat janë si fëmijët, të cilët i do ashtu si janë dhe unë nuk do t'u kisha ndryshuar asgjë", ka thënë Blushi. Në përfundim të takimit, në një sallë të mbushur përplot me njerëz, Blushi ka firmosur autografë mbi romanin e tij të përkthyer në gjuhën greke.
Para gazetarëve
Shkrimtari dhe politikani, Ben Blushi mbërriti në Athinë dy ditë më parë. Kohën përpara takimit promovues, Blushi e ka shfrytëzuar për të komunikuar me mediat greke, të cilat kanë treguar një interes të veçantë, për të, si shkrimtar, por edhe si një eksponent i rëndësishëm i partisë më të madhe politike, në vend. Ai u është përgjigjur, jo vetëm pyetjeve në lidhje me romanin që do të prezantonte në Athinë, por edhe mbi integrimin në Bashkimin Evropian, për thirrjet raciste të disa ditëve më parë nga ushtarët grekë, krizën ekonomike, etj.
"Përmes historisë së tij, çdo popull kupton më mirë të sotmen e tij. Se cilët jemi sot, e ka përcaktuar rruga jonë në histori" është shprehur Blushi për gazetën e përditshme "To Vima". "Kristianë dhe myslimanë jetojnë në harmoni fetare, nuk luftuam njëri-tjetrin, as të tjetër në emër të fesë. Në shumë familje, prindërit besojnë në fe të ndryshme, por bashkëjetojnë në harmoni dhe rrisin fëmijët e tyre me respektin për fenë e tjetrit. Kjo na karakterizon dhe për këtë jemi krenarë", është shprehur Blushi, në lidhje me harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri. Sa i përket pyetjes, nëse ishte islami shkaku që mbajti Shqipërinë larg nga Evropa kristiane, ai ka thënë se "Islamizimi masiv pengoi evropianizimin e vendit. Rol gjithashtu luajti dhe izolimi i vendit nga periudha e Perandorisë Otomane deri në kohën e komunizmit. Tani jemi një vend i hapur, por jemi nga të fundit që do të hyjmë në Bashkimin Evropian. Shqipëria ushqen ndjenja të mëdha për BE-në, nga të gjitha vendet e ish-bllokut të Lindjes. Sivjet presim të hyjmë në Marrëveshjen Shengen që do të lehtësojë lëvizjet. Të gjitha këto janë të rëndësishme jo për shkaqe psikologjike, por dhe ekonomike. E ardhmja jonë është në Evropë dhe në BE", ka thënë Blushi për "To Vima". Ndërsa ka përshëndetur faktin që PASOK është në pushtet, duke u shprehur se kthimi i Greqisë në socializëm, është një shenjë që tregon se kjo ideologji ka akoma për të dhënë.
“Të jetosh në ishull”, një variant mbi islamizimin e shqiptarëve
"Të jetosh në ishull" është një nga romanet më të suksesshëm të shkrimtarit dhe më i debatuari, jo vetëm në qarqet letrare, por edhe ato historike. Shkrimtari na kthen pas në kohë, në periudhën kur në Shqipëri nisi procesi i islamizimit të popullsisë. Blushi i referohet edhe figurave reale historike, por i nxjerr ata nga konteksti i vërtetë historik, duke i vënë në një tjetër kohë, për të ngjallur më shumë kureshtjen e lexuesit. Ndonëse nuk mund të trajtohet si një libër me karakter historik, "Të jetosh në ishull sjell" një version origjinal dhe të pranueshëm të mënyrës se si shqiptarët përqafuan fenë islame. Tanimë, ai është një libër popullor, i cili ka njohur një supershitje në Shqipëri. Shtëpia botuese "Toena" e ka ribotuar disa herë librin, i cili ka arritur një tirazh prej rreth 30 mijë kopjesh. Tanimë ai është kthyer edhe në një variant "xhepi", që kushdo mund ta lexojë kudo. Ky roman kaq i debatuar është ndjekur nga një tjetër vepër, gjithashtu e suksesshme. Me "Otello, Arapi i Vlorës", Blushi ka merituar dy çmime letrare për vitin 2009.
Nikos Papandreu, vëllai shkrimtar i Kryeministrit grek
Ndonëse i kushtoi vite të tëra studimit të ekonomisë, ai e kuptoi se vokacioni i tij ishte letërsia, të shkruarit. Nikos Papandreou (vëllai i Jorgos Papandreut, Kryeministri i Greqisë) ka lindur në Berkeley të Kalifornisë. Pasi kreu kolegjin në Kanada, studioi ekonomi dhe shkenca politike në Yale dhe ka gradën e Doktorit në ekonomi. Pasi kreu shërbimin ushtarak grek dhe pas disa vitesh në Bankën Botërore, ai braktisi botën e ekonomisë dhe u specializua në fushën e letrave. Ai është autori i shtatë librave, më së shumti në gjuhën greke dhe i shumë eseve, artikujve dhe historive të shkurtra, të cilat kanë zënë vend në faqet e shtypit.
Blushi: Racizmi, s’duhet përgjithësuar shoqëria
I ndodhur në Athinë për të prezantuar romanin e tij "Të jetosh në ishull", shkrimtari Ben Blushi, iu është përgjigjur gazetarëve edhe mbi ngjarjen e 25 marsit, kur gjatë një parade, ushtarët grekë kanë kënduar një himn racist ndaj shqiptarëve e turqve. "Gjykoj se bëhet fjalë për disa grupe nacionaliste në radhët e Ushtrisë, të cilat nuk përfaqësojnë të gjithë shoqërinë greke dhe Qeveria greke ka marrë masa ndaj tyre", ka thënë Blushi, duke dashur të mos përgjithësojë gjithë shoqërinë greke me këta elementë të ushtrisë greke, ndonëse ky nuk ishte rasti i parë që uniformat e vendit fqinj shprehin hapur qëndrimin e tyre racist ndaj popullit shqiptar dhe atij turk.